Shendet

Kanceri i mushkërive më i përhapuri në Shqipëri, duhanpirja shkaku kryesor

Kanceri i mushkërive është kanceri më i përhapur në Shqipëri. Sipas ‘The Global Cancer’ gjatë vitit 2020 janë identifikuar rreth 7000 persona me sëmundje tumorale, ndërsa rreth 4000 prej tyre kanë humbur jetën.

Duhanpirja është faktori kryesor i riskut që çon në zhvillim të këtij kanceri, i cili është tepër i përhapur sidomos te burrat.

31 maji njihet si dita botërore kundër duhanpirjes dhe është me rëndësi, që edhe në vendin tonë, sidomos në kushtet kur shënohet një numër i lartë i të prekurve me kancer të mushkërive, njerëzit të ndërgjegjësohen për efektet negative të duhanpirjes.

Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, në Shqipëri janë tre faktorët e rrezikut të vlerësuar si më të rëndësishëm nga pikëpamja e proporcionit, që kontribuojnë në barrën e sëmundjeve: dieta e pashëndetshme, presioni i lartë i gjakut dhe duhanpirja, ndërkohë që 1 në 4 vdekje nga sëmundjet kronike shkaktohen nga duhanpirja.

Gjithashtu 1 në 4 vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare ka në bazë duhanpirjen.

Për kanceret ky kontribut negativ është edhe më i lartë duke arritur në mbi 83% të vdekjeve nga kanceri i mushkërive.

Sipas të dhënave nga INSTAT, duhanpirja sipas grup-moshave, për vitet 2017-2018 evidenton qartë se janë meshkujt ata që zënë peshën kryesore në pirjen e duhanit në Shqipëri.

Pirja e duhanit është më e zakonshme në moshën 30-34 vjeç, në të dy gjinitë: meshkujt me 45,1 % dhe gratë 7,3 %.

Sipas mjekëve, më të rrezikuar nga sëmundjet tumorale janë personat mbi 55 vjeç, ndërsa për të shmangur llojet e ndryshme të kancerit është i nevojshëm një stil i shëndetshëm jetese.

Gjysma e burrave në Shqipëri (mbi 15 vjeç) pinë duhan. Ndonëse Shqipëria renditet ndër vendet me normë të ulët në krahasim me shtet fqinje (së paku në 2016, ku ka të dhëna të vlefshme për të gjitha shtetet), ky fenomen është shumë më i përhapur te gjinia mashkullore.

Sipas të dhënave nga Our World in Data gati 1 në 3 shqiptarë (28%) pinë duhan. Kjo është norma më e ulët në rajon, megjithatë është mbi mesataret botërore të konsumit, ku përllogaritet se një në pesë të rritur (20%) pinë duhan.

Mali i Zi, i cili kryeson rajonin, por njëkohësisht renditet vendi i dytë në botë për normën e lartë të të rriturve që pinë duhan. Pas tij renditet Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia me përkatësisht 38.9%.

Lidhja tepër e madhe që ka duhanpirja me kancerin e mushkërive është bërë zyrtarisht e ditur në vitin 1964, ndërkohë që, 40 vite më pas, mijëra studime e përforcuan këtë teori, në mënyrë të atillë që në ditët e sotme duhanpirja të konsiderohet arsyeja kryesore e kancerit të mushkërive, dhe arsyeja e parë e vdekjes nga kanceri si për meshkujt ashtu edhe për femrat. Për më tepër, lloje të tjera kanceri siç janë leuçemia, kanceri i kokës, i larinxit, i ezofagut, i heparit, i pankreasit, i stomakut, i zorrëve, i qafës së mitrës, janë të gjithë të vërtetuar që kanë lidhje me duhanpirjen.

Të gjithë llojet e duhanit dhe jo vetëm cigarja, por edhe puro, llulla, duhani i presuar shkaktojnë kancer. Duhet të theksojmë se edhe duhanpirja pasive është përgjegjëse për shfaqjen e kancerit.  Është përllogaritur se rreziku që ka një duhanpirës për të shfaqur kancer të mushkrive është 10-30 herë më i madh se rreziku i jo duhanpirësve. Rreziku rritet me sasinë e cigareve që konsumohen brenda ditës dhe me vitet që pi cigare.

Si e nxit duhanpirja shfaqjen e kancerit?

Duhani përmban substanca kancerogjene, të cilat ndikojnë në materialin gjenetik të qelizave,të ADN-së, material i cili është rregullator i funksionit të duhur të tyre. Dëmtimet që mund të bëhen te ADN-ja mund të shkaktojnë shumëfishim/ përhapje të pakontrolluar të qelizave dhe të shfaqin kancerin. Njëkohësisht, duhanpirja e dëmton sistemin imunitar dhe mekanizmat mbrojtës bien, mekanizma këto që do të mund t’i rezistonin zhvillimit të qelizave kanceroze.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë