Lajme

Dita Botërore e Teatrit – nën karantinë

Nga Luljeta Nelallari - Cili është roli i teatrit sot? A vijon ai të ketë rolin e dikurshëm si pararojë e zhvillimeve në shoqëri? Janë shumë pyetje që mund të bëheshin sot në Ditën Ndërkombëtare të Teatrit, nga kritikë apo njerëz që vazhdojnë ta shohin teatrin si një nga format më të larta të artit, por situata e pazakontë me COVID-19 ka ngrirë edhe botën kulturore dhe kjo ditë na ka gjetur jo në skenën që do të dëshironim.  

27 marsi njihet si Dita Botërore e Teatrit që nga viti 1962, pasi kjo ditë ishte iniciuar në Kongresin e 9-të botëror të Institutit Ndërkombëtar Teatror - INT të UNESCO-s në qershor të vitit 1961, me propozim të Finlandës. Ajo festohet çdo vit nga kjo qendër, si dhe nga komuniteti ndërkombëtar teatror nga të pesë kontinentet. Për të festuar këtë ditë organizohen ngjarje të ndryshme teatrore, kombëtare dhe ndërkombëtare.

Edhe pse në kushte izolimi, arti na bashkon dhe aktorët shqiptarë kanë gjetur një tjetër mënyrë për të përkujtuar këtë ditë, me anë të videomesazheve.

Aktori i Teatrit Kombëtar, Lulzim Zeqja, ndërsa uron të gjithë aktorët në këtë ditë, thotë që Teatri duhet t’i përshtatet kohës, duke e lidhur dhe me situatën ku ndodhemi.

Aktori Lulzim Zeqja

“Teatri si çdo artist i shkëlqyer duhet t’i përgjigjet rrymave më fisnike të kohës moderne, ndryshe teatri do të jetë një institucion i vdekur. Sot është Dita Botërore e Teatrit dhe unë gjeta këtë shprehje për t’u përshëndetur dhe më duket më aktuale se kurrë. Gëzuar të gjithë aktorëve, regjisorëve, skenografëve, muzikantëve, punëtorëve të skenës, të gjithë atyre që merren me teatër”, shprehet në një videomesazh aktori i Teatrit Kombëtar, Lulzim Zeqja.

“Në teatër njeriu ndan me të tjerët kuptimin e të qenit njeri. Gëzuar ditën Botërore të Teatrit”, shprehet aktorja Erjona Kakeli.

Aktorja Erjona Kakeli

Ndërsa, aktori Genti Deçka shprehet se magjia e teatrit nuk mund të kuptohet pa qelizat e saj, që janë publiku dhe gjithë prapavija.

“Sot ndoshta është një moment shumë i vështirë, për teatrin sepse normalisht teatri është një qenie e gjallë dhe nuk mund të funksionojë pa qelizat e saj dhe qelizat e saj padiskutim jeni ju publik i dashur, janë artisët, janë prapavija, të gjithë ata që e bëjnë të mundur procesin e mrekullueshëm të teatrit”, shprehet aktori Genti Deçka.

Aktori Genti Deçka

Ndërsa thekson se “Ne duhet të shpresojmë të gjithë bashkë se ky armik i padukshëm të zhduket dhe të rifestojmë dhe të ringazëllehemi për të shijuar vepra të mrekullueshme teatri”.

Çdo vit në këtë ditë një personazh i njohur i botës teatrore shkruan një ese mbi teatrin, e cila shpërndahet e lexohet në të gjithë botën. Këtë vit ky mesazh u dha nga Shahid Nadeem, dramaturg pakistanez dhe njëkohësisht Drejtues i Teatrit të mirënjohur 'Ajoka' në Lahore, i cili ka lënë mënjanë problemet, me të cilat përballet industria e madhe e teatrit, dhe ka folur mbi magjinë e këtij arti, mbi pasionin që e pushton çdo artist që e ka të lidhur jetën me të.

Synimi i Ditës Botërore të Teatrit është që të promovojë këmbimin ndërkombëtar të njohjeve, të stimulojë krijimtarinë dhe të rrisë bashkëpunimin ndërmjet njerëzve të teatrit dhe mirëkuptimit të ndërsjelltë me qëllim që të përforcohet paqja dhe miqësia mes popujve.

Mesazhi i Ditës Botërore të Teatrit 2020

Dramaturgu pakistanez, Shahid Nadeem

TEATRI SI NJË FALTORE

Në fund të performancës në Teatrin ‘Ajoka’, ku jepej shfaqje mbi poetin sufi Bulleh Shah, një burrë i vjetër i shoqëruar nga një djalosh i ri, shkuan drejt aktorit i cili po luante rolin e 'Sufit të Madh' dhe i thotë: “Nipi im është i pamundur, a mundemi ju lutem t’i jepni atij një bekim?”. Aktori u step dhe tha: “Unë nuk jam Bulleh Shah, jam thjesht një aktor, i cili po luan rolin e tij”. I moshuari i kthehet: “Bir, ti nuk je aktor, ti je mishërimi i Bulleh Shah”. Papritur, një koncept i ri i teatrit lindi për ne, ku aktori bëhet mishërim i rolit që po portretizon.

Duke eksploruar historitë si ajo e Bulleh Shah, dhe ka aq shumë të tilla në të gjitha kulturat, mund të bëhet një urë mes nesh, krijuesve të teatrit dhe një audience të panjohur, por entuziaste. Ndërkohë që performojmë në skenë, shpeshherë, harrohemi në filozofinë e teatrit, në rolet tona si lajmëtarë të ndryshimeve sociale dhe lejmë prapa seksione të masës. Në angazhimin tonë me sfidat së tashmes, ne e privojmë veten nga mundësia e eksperiencës për të prekur thellë shpirtërisht, një eksperiencë që teatri e mundëson. Në botën e sotme, ku intoleranca, urrejtja dhe dhuna janë rritje, planeti ynë po zhytet thellë e më thellë në një katastrofë klimatike, ne duhet të rifitojmë forcën tonë shpirtërore. Ne duhet të luftojmë plogështinë, letargjinë, pesimizmin, zilinë, dhe indeferencën e botës ku jetojmë, planetit ku jetojmë. Teatri ka një rol, një rol fisnik, në dhënien e energjisë dhe mobilizmin e njerëzimit për ta ngritur atë nga rënia në humnerë. Mund ta ngrejë skenën, hapësirën e performancës, në diçka të shenjtë.

Në Azinë jugore, artistët prekin me respekt dyshemenë e skenës para se të hyjnë në të, një traditë e lashtë kur bota kulturore dhe shpirtërore ishin të ndërthurura. Është koha për ta rigjetur atë lidhje simbiotike mes artistit dhe audiencës, të kaluarës dhe të ardhmes. Të bësh teatër është një akt i shenjtë dhe aktorët mund të bëhen rimishërim të roleve që luajnë. Teatri ka potencialin të bëhet një faltore dhe faltorja një hapësirë performance.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë