Art dhe Kulture

Dita Botërore e Teatrit – A ka energji për të rilindur?

Cili është roli i teatrit sot? A vijon ai të ketë rolin e dikurshëm si pararojë e zhvillimeve në shoqëri? Janë shumë pyetje që mund të bëheshin sot në Ditën Ndërkombëtare të Teatrit, nga kritikë apo njerëz që vazhdojnë ta shohin teatrin si një nga format më të larta të artit, por edhe këtë vit, duke qenë se pandemia ende vijon të jetë e fortë, kjo ditë nuk na ka gjetur në skenat që do të dëshironim.
27 marsi njihet si Dita Botërore e Teatrit që nga viti 1962, pasi kjo ditë ishte iniciuar në Kongresin e 9-të botëror të Institutit Ndërkombëtar Teatror – INT të UNESCO-s në qershor të vitit 1961, me propozim të Finlandës. Ajo festohet çdo vit nga kjo qendër, si dhe nga komuniteti ndërkombëtar teatror nga të pesë kontinentet. Për të festuar këtë ditë organizohen ngjarje të ndryshme teatrore, kombëtare dhe ndërkombëtare.
Duke qenë se teatrot ende nuk i kanë hapur dyert për publikun e gjerë dhe nuk ka aktivitet artistik, Teatri Kombëtar këtë ditë do ta përkujtojë me një rikthim të një shfaqjeje online. Në orën 19:00 do të vijë online shfaqja fituese e ‘Çmimit të Publikut’ në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit “MOISIU On”, komedia “Martesa” me regji të Driada Dervishit.
Në këtë ditë festive, Teatri ka shpërndarë edhe një kronikë të realizuar nga aktorja Ina Gjonçi, ku aktorja vë theksin se përpos mbylljes, profesoni është një mënyrë të menduari e të jetuari.
“Në një kohë që skenat janë të mbyllura, a do të mund gjithë kjo energji e përmbajtur të na japë forcën për të ‘rilindur’?”, shkruan në videon e shpërndarë të aktores Teatri.

Ndërkaq, Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ndërsa uron këtë ditë, u premton artistëve se do të ketë kushte më të mira për ta.
“Me mallin dhe shpresën që së shpejti të ulemi në poltronat e spektatorëve; me premtimin se do të ketë kushte më të mira për artistët, ashtu si në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit edhe në sallën e Universitetit të Arteve apo Teatrin e ri Kombëtar, që do të ngrihet, ju uroj: Gëzuar Ditën Botërore të Teatrit!”, shkruan ministrja Margariti.

Çdo vit në këtë ditë një personazh i njohur i botës teatrore shkruan një ese mbi teatrin, e cila shpërndahet e lexohet në të gjithë botën. Këtë vit ky mesazh u dha nga aktorja britanike, Helen Mirren, e cila thekson se pavarësisht se jemi të gjunjëzuar nga pandemia, shumë shpejt Teatri do të lulëzojë me një energji të re dhe kuptim të ri të botës.
Synimi i Ditës Botërore të Teatrit është që të promovojë këmbimin ndërkombëtar të njohjeve, të stimulojë krijimtarinë dhe të rrisë bashkëpunimin ndërmjet njerëzve të teatrit dhe mirëkuptimit të ndërsjelltë me qëllim që të përforcohet paqja dhe miqësia mes popujve.

Mesazhi i Ditës Botërore të Teatrit 2021

Aktorja britanike, Helen Mirren

Kjo ka qenë një kohë e vështirë për performancën teatrale dhe shumë artistë, teknikë, zanatçinj dhe gra kanë luftuar në një profesion që tashmë është i mbushur më pasiguri. Ndoshta kjo pasiguri i ka bërë ata më të aftë të mbijetojnë këtë pandemi me zgjuarsi dhe guxim.
Imagjinata e tyre tashmë është shndërruar, nga këto rrethana të reja, në mënyra krijuese, argëtuese dhe prekëse për të komunikuar, pjesërisht falë internetit. Qeniet njerëzore i kanë treguar njëri-tjetrit histori për aq kohë sa kanë qenë në këtë planet. Kultura e bukur e teatrit do të jetojë për sa kohë që ne qëndrojmë këtu.
Dëshira krijuese e shkrimtarëve, stilistëve, valltarëve, këngëtarëve, aktorëve, muzikantëve, regjisorëve nuk do të mbytet kurrë dhe në një të ardhme të afërt do të lulëzojë përsëri me një energji të re dhe një kuptim të ri të botës që ndajmë të gjithë.
Unë mezi po e pres!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë