“Nëse do të ndihesh se i përket diçkaje më të lartë, diçkaje madje edhe përtej këtij universi, atëherë shko në Opera!” shkruante dramaturgu turk, Mehmet Murat Ildan.
25 tetori kremtohet si Dita Botërore e Operës, që tradicionalisht përkon me përvjetorët e lindjes së kompozitorëve Georges Bizet dhe Johann Strauss II.
Opera Europa (pjesë e së cilës është edhe Teatri ynë i Operës ) e feston Ditën Botërore në shoqërinë e artistëve të rinj nga shtatë studio operistike.
“Nëpërmjet shfaqjeve të filmuara dhe dokumentarëve, zbuloni gjeneratën e ardhshme të talenteve nga Tokio, Parisi, Londra, Hannoveri, Amsterdami, Varshava dhe Roma, gjatë gjithë Ditës Botërore të Operës nga ora 10:00 deri në 22:00”, shkruhet në faqen zyrtare të kësaj platforme.

Dita Botërore e Operës është një fushatë ndërgjegjësuese për ndikimin pozitiv dhe vlerën e Operës për shoqërinë. Opera, si dhe artet e tjera, mendojnë organizatorët, kontribuojnë në zhvillimin e tolerancës dhe mirëkuptimit, hapjen e mendjeve dhe vënien e njerëzve në kontakt me emocione të forta universale, ndaj këtë vit është menduar si mbështetje për muzikën afgane.
“Me rastin e Ditës Botërore të Operës më 25 Tetor, Opera Europa fton të gjitha ambientet që të angazhohen: të sjellin muzikën dhe muzikantët afganë në skenat e tyre, nëse dhe ku është e mundur; dhe për të ofruar mbështetje dhe dukshmëri për projektet që stimulojnë shpërndarjen, kompozimin, performancën dhe trajnimin e muzikantëve afganë”, njoftojnë drejtuesit e Opera Europa.
Si anëtar i rrjetit Opera Europa, Teatro Grande do të promovojë gjithashtu fushatën e krijuar për festimet e vitit 2021, kushtuar lirisë dhe mbështetjes për kulturën muzikore afgane.
Nga ora 12.00 deri në orën 14.30, do të interpretohet muzika nga Orkestra Zohra, ekipi i parë tërësisht femëror në Afganistan, dhe nga Instituti Kombëtar i Muzikës i Afganistanit me qendër në Kabul.
Fondacioni kështu promovon një iniciativë që synon t’i bëjë homazh një trashëgimie shumë të pasur dhe shumetnike në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje përballë ngjarjeve të fundit historike që kanë goditur rëndë vendin.
“Teatro Regio di Parma” feston Ditën Botërore të Operës me dokumentarë, shfaqje të realizuara për këtë rast, duke i kushtuar vëmendje shtëpive të operës që merren me trajnimin e talenteve të reja. Titulli i edicionit të 2021 të Ditës Botërore të Operës është “Opera Reboot”, dhe temat qendrore janë qëndrueshmëria, mundësitë e barabarta dhe e ardhmja e brezave të rinj të artistëve. Temat përfshinin një rrjet teatrosh nga e gjithë bota, veçanërisht në një periudhë heshtjeje dhe vështirësish të përjetuara globalisht për shkak të pandemisë, duke çuar në pyetje rreth perspektivave të reja të botës së operës.
Për të celebruar këtë ditë, edhe Teatri i Operës dhe Baletit në Tiranë ka menduar të sjellë për publikun “La Traviata” të Xhuzepe Verdit që vjen nën interpretimin e artistëve Simona Karafili, Denis Skura, Ylber Gjini, Erlind Zeraliu, Shpresa Beka, Dorina Selimaj, Artur Vera, Bledar Domi, Xhieldo Hyseni, Genc Vozga tashmë në teatrin e rikonstruktuar.
“Sot festojmë ditën e Operas me dëshirën dhe nxitjen e vazhdueshme për t’i siguruar teatrit tonë artistët e gjeneratës së re”, shkruan Zana Çela, drejtoresha e TKOB në profilin e saj të “Facebook”.
Ndërsa, ministrja e Kulturës, Elva Margarit shprehet se “Dita Botërore e Operës merr edhe më shumë kuptim pas rikonstruksionit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit”.
Nisma e Ditës Botërore të Operës lindi si rezultat i diskutimeve të përbashkëta midis anëtarëve të OPERA America, Ópera Latinoamérica dhe Opera Europa dhe përfaqësuesve të fushës së operës nga pjesa tjetër e botës, në Forumin e Parë Botëror të Operës, organizuar nga Teatri Mbretëror i Madridit, në prill 2018.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



