Njerez

Raporti: Shqipëria është më e lumtur se vjet. Por në rajon ia kalojmë vetëm Maqedonisë

Nga Gazeta Si – Ka arsye për optimizëm në raportin e fundit mbi lumturinë botërore. Në ditën ndërkombëtare të lumturisë është publikuar edhe raporti i lumturisë botërore, i cili është një botim i Rrjetit të Zgjidhjeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së dhe ka disa kritere për të përcaktuar lumturinë e një vendi si mbështetja sociale, të ardhurat, shëndeti, liria, dashamirësia dhe mungesa e korrupsionit duke mbledhur të dhënat e sondazhit global për të raportuar se si njerëzit vlerësojnë jetën e tyre në më shumë se 150 vende në mbarë botën.

Këtë vit, Shqipëria është renditur në vendin e 83, duke ngjitur 7 vende në krahasim me një vit më parë që ishte në vendin e 90. Ndërkohë në vitin 2021 Shqipëria renditej në vendin e 93. Pavarësisht këtyre shifrave pozitive, Shqipëria gjithsesi renditet si një nga vendet më të palumtur në botë dhe rajon.

Fqinjët tanë si Kosova, Greqia, Mali i Zi janë të gjithë të rankuar më lart se Shqipëria me Kosovën në vendin e 34 pranë Italisë, Serbia në vendin e 45, Greqia në vendin e 58 dhe Mali i Zi në vendin e 67. Ndërkohë Maqedonia e Veriut renditet poshtë nesh, në vendin e 87.

Ajo që ndryshon këtë vit është vendi i parë me Finlandën, për të gjashtin vit radhazi që mban kreun si vendi më i lumtur në botë.

LEXO EDHE:
– Vendet më të lumtura në botë për 2022, Shqipëria ngjitet me 3 vende
– Si ёshtё tё jetosh nё Finlandё, vendin mё tё lumtur nё botё
– Sekreti i lumturisë së Finlandës? Sauna, banja akulli dhe shumë pyje e natyrë përreth

Autorët e raportit këtë vit shprehen optimistë duke thënë se dashamirësia është rreth 25% më e lartë se sa ishte para pandemisë.

“Dashamirësia ndaj të tjerëve, veçanërisht ndihma e të huajve, e cila u rrit në mënyrë dramatike në vitin 2021, qëndroi e lartë edhe në vitin 2022”, thotë John Helliwell, një nga autorët e Raportit të Lumturisë Botërore.

Ai thotë se edhe gjatë këtyre viteve të vështira, emocionet pozitive kanë mbetur dy herë më të mëdha se ato negative dhe “ndjenjat e mbështetjes sociale janë dy herë më të forta se ato të vetmisë dhe braktisjes”.

Afganistani dhe Libani të shkatërruar nga lufta mbeten dy nga vendet më të pakënaqura në sondazh.

Lista e këtij viti është e ngjashme me renditjen e kaluar në 2022, 2021, 2020 dhe 2019, me shumë nga të njëjtat vende nordike në vendet e para. Ashtu si në vitin 2022, Danimarka është sërish në vendin e dytë, e ndjekur nga Islanda në vendin e tretë.

“Vendet nordike meritojnë vëmendje të veçantë për nivelet e tyre përgjithësisht të larta të besimit personal dhe institucional”, shkruajnë autorët e raportit.

20 vendet më të lumtura në botë në 2023:

-Finlanda

-Danimarka

-Islanda

-Izraeli

-Holanda

-Suedia

-Norvegjia

-Zvicra

-Luksemburgu

-Zelanda e Re

-Austria

-Australia

-Kanadaja

-Irlanda

-Shtetet e Bashkuara

-Gjermania

-Belgjika

-Republika Çeke

-Mbretëria e Bashkuar

-Lituania


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë