Lajme

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, Meta: Sot media më pak e lirë

Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, presidenti Ilir Meta ka bërë një apel të fortë.
Duke e vënë theksin te situata në vend, presidenti tha se kjo ditë e gjen sot Shqipërinë të renditur ndër vendet me liri të pjesshme të medias.
“Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit e gjen sot Shqipërinë të renditur ndër vendet me liri të pjesshme të medias. Shqetësimet e thella të ngritura në raportet e fundit të “Freedom House” dhe “Reporterëve pa kufij”, për fatin e keq, vijojnë të hasin në vesh të shurdhët. Shtypi ynë sot, edhe sipas këtyre organizatave, është më pak i lirë dhe i pavarur, mediat goditen nga retorika agresive dhe kërcënuese, rastet e dhunës ndaj gazetarëve janë shpeshtuar dhe tentativat për të përdorur fondet publike për të kontrolluar lirinë e shprehjes janë alarmante”, shkruan Meta në rrjetin social “Facebook”.
Meta u bën thirrje të gjithë gazetarëve që të bëjnë detyrën me përkushtim dhe të denoncojnë çdo rast shantazhi e kërcënimi.
“Duke ju uruar këtë ditë, ju ftoj pa humbur kohë të unifikoheni në qëndrime, larg autocensurës, të denonconi hapur dhunën, shantazhin e presionet, gjuhën e urrejtjes e frikësimit, por dhe kushtet e papërshtatshme të punës”, shprehet ndër të tjera Meta.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/photos/a.1479540228758912/2248107768568817/?type=3&theater


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë