Arsim

Diskriminimi i romëve në arsim, Strasburgu gjobit Shqipërinë

Shqipëria diskriminon në arsim komunitetin rom dhe egjiptian duke izoluar fëmijët nëpër klasa dhe shkolla të veçanta.

Në këtë përfundim ka mbërritur Gjykata e të Drejtave të Njeriut, që mori vendim pas një padie të ngritur nga Qendra Europiane për të Drejtat e Romëve. Kjo Qendër u vu në lëvizje nga pesë familje rome që jetojnë në qytetin e Korçës.

Rasti mori shkas nga shkolla “Naim Frashëri” në këtë qytet. Pesë familjet ngritën padinë në 2017-n duke sjellë si fakt se deri në 90 për qind e nxënësve të kësaj shkolle janë romë dhe egjiptianë, pavarësisht faktit që dy komunitetet janë minoritet në këtë qytet.

Strasburgu ka gjetur shkelje të nenit 1 të protokollit të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

“Të drejtat që garantohen nga ligji duhet të sigurohen pa asnjë diskriminim mbi bazë gjinie, race, ngjyre, gjuhe, besimi, politike apo mendimi tjetër, kombëtar apo me origjinë sociale. Askush nuk duhet të diskriminohet nga një autoritet publik mbi bazën e arsyeve të mësipërme”, thotë Konventa.

Gjykata vendosi që të dëmshpërblejë me 22 mijë e 500 euro pesë familjet rome që ngritën padinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë