Nga Gazeta ‘Si’- Përpjekja e dështuar për të siguruar një zgjidhje paqësore me Iranin nuk e ka lëkundur besimin e presidentit tek dy njerëzit që ai ka vendosur në krye të përpjekjeve për paqe në botë.
I dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit, janë ngarkuar me zgjidhjen e disa prej konflikteve më të vështira në botë. Edhe ndërsa lufta me Iranin zgjerohet, presidenti këmbëngul se diplomatët e tij kryesorë janë njerëzit më të mirë për këtë detyrë.
“Mendoj se po bëjnë një punë të shkëlqyer,” tha presidenti Donald Trump për POLITICO në një intervistë të shkurtër telefonike të premten. “Njerëz të tillë nuk mund t’i punësosh.”
Dinamika e paprecedentë ku dy persona drejtojnë negociatat me Iranin, Izraelin dhe Hamasin, si dhe me Ukrainën dhe Rusinë, ndonjëherë të gjitha brenda një pasditeje, tregon mënyrën se si administrata Trump beson se duhet të arrihen marrëveshjet e paqes.
Ajo e sheh diplomacinë si një sipërmarrje të ngjashme me tregun e pasurive të paluajtshme, që kërkon mentalitet biznesi dhe një ekip të vogël të ngarkuar për të siguruar një marrëveshje të madhe zhvillimi, sipas dy zyrtarëve të administratës që folën në kushte anonimiteti për të shpjeguar mënyrën si mendon rrethi më i afërt i presidentit.
Dhe nëse negociatat me një palë dështojnë, siç ndodhi me Teheranin, dështimi mund të përdoret si levë për të arritur një marrëveshje tjetër.
Trump e bëri pikërisht këtë të premten, duke sugjeruar se lufta me Iranin mund të rezultojë një përfitim për arritjen më të spikatur të mandatit të tij të parë, Marrëveshjet e Abrahamit, të cilat normalizuan marrëdhëniet diplomatike midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit, Sudanit dhe Marokut.
“Shumë vende do t’i bashkohen Marrëveshjeve të Abrahamit,” tha Trump. “Tani që Irani është i shkatërruar, sepse e dini që kjo ka qenë gjithmonë një frikë.”

Shtimi i më shumë vendeve në Marrëveshjet e Abrahamit ka qenë prej kohësh një objektiv i presidentit për të sjellë stabilitet dhe paqe më të madhe rajonale në Lindjen e Mesme.
Optimizmi i Trump vjen ndërsa kritikët e akuzojnë presidentin se po vendos një besim të tepruar tek njerëz që nuk kanë dhënë rezultate të mjaftueshme. Ndërsa Kushner dhe Witkoff, një zhvillues i pasurive të paluajtshme nga Nju Jorku dhe Miami, vlerësohen gjerësisht për rolin e tyre në marrëveshjen që çoi në lirimin e pengjeve izraelite, armëpushimi që ata ndërmjetësuan mbetet i brishtë dhe Hamasi vazhdon të jetë një forcë në Gaza.
Negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë nuk kanë prodhuar një armëpushim. Ndërsa përpjekjet për të bindur Iranin të heqë dorë nga programi i pasurimit të uraniumit kanë qenë të pasuksesshme.
Ritmi i shpejtë i këtyre përpjekjeve sjell një “rrezik të mbingarkesës”, tha ish-negociatori i Departamentit të Shtetit Aaron David Miller, i cili ka shërbyer në administrata republikane dhe demokrate.
Sasia e madhe e detajeve që kërkon menaxhimi i tre negociatave njëkohësisht është shumë për t’u përballuar nga dy biznesmenë, dhe ekziston rreziku që negociatorëve kryesorë të administratës t’u mungojë një kuptim i mjaftueshëm i historisë dhe psikologjisë, “të cilat janë thelbësore për mënyrën se si palët në këto konflikte i shohin çështjet”, tha Miller.
Marrëveshja bërthamore me Iranin, e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), e negociuar nga administrata Obama dhe e kritikuar gjerësisht nga Trump, kishte 159 faqe dhe u deshën dy vite për t’u përfunduar.
Megjithatë, besimi i Trump mbetet i palëkundur.
“Nuk kanë shumë punë,” tha ai. “Në fakt kanë kapacitet për më shumë, të them të drejtën.”
Ideja që vetëm dy njerëz të punojnë njëkohësisht për tre marrëveshje të mëdha është e paprecedentë. Dhe përdorimi nga Trump i “të dërguarve për paqen” shkon përtej praktikës së zakonshme, pasi ai përzgjedh personalisht negociatorët kryesorë pa konfirmim nga Kongresi.
Administrata Trump këmbëngul se një ekip i vogël që merret me disa kriza njëkohësisht ka më shumë shanse për sukses sesa një ushtri diplomatësh dhe ekspertësh që trajtojnë konflikte të ndryshme rajonale. Ajo e krahason diplomacinë e nivelit të lartë me projektet e zhvillimit me të cilat familja Trump është marrë prej kohësh.
Ëitkoff dhe Kushner zakonisht mbajnë ekipe të vogla kur negociojnë marrëveshje të mëdha biznesi dhe i qasen skenës ndërkombëtare në të njëjtën mënyrë. Një nga zyrtarët e administratës tha se marrëveshjet e pasurive të paluajtshme fillojnë nga lart, me disa persona të përzgjedhur që kanë një vizion.
“Më pas vijnë menaxherët që e zhvillojnë projektin dhe bashkëpunojnë me inxhinierë, arkitektë e të tjerë,” tha ai. “Ne jemi shumë të mirë në kuptimin e elementeve që e bëjnë një marrëveshje të komplikuar. I diskutojmë, i adresojmë dhe pastaj gjejmë mënyrën si t’i zgjidhim.”
Negociatat globale, ashtu si marrëveshjet e zhvillimit, kanë “ritme të ngjashme transaksionesh”, tha një zyrtar tjetër i administratës.

“Disa nga këto konflikte lëvizin në të njëjtën mënyrë,” tha zyrtari i parë, duke shtuar se “plani i lojës” merr input nga Trump, sekretari i Shtetit Marco Rubio, drejtori i CIA-s John Ratcliffe dhe shefja e stafit Susie wiles. Ka gjithashtu bashkëpunim me nënpresidentin JD Vance, sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth dhe kryetarin e Shefave të Përbashkët të Shtabit, gjeneralin Dan Caine.
“Kemi pasur njerëz që pyesin: ‘Si mund të keni një ekip kaq të vogël?’ Por fillimi i vendimmarrjes për planin nuk kërkon një grup të madh,” tha zyrtari.
Qasja “një model për të gjitha” e Witkoff dhe Kushner u pa më qartë muajin e kaluar në Gjenevë, kur ata u takuan me ukrainasit, rusët dhe iranianët brenda një dite të vetme, duke u përpjekur të siguronin marrëveshje të veçanta për t’i dhënë fund luftës katërvjeçare në Ukrainë dhe për të ndaluar programin bërthamor të Iranit.
Ata u takuan me iranianët nga ora 9:00 deri në 12:30, me ukrainasit nga ora 13:00 deri në 17:30 dhe më pas folën me rusët. Pas kësaj pati një darkë me ukrainasit dhe partnerë rajonalë, përfshirë Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Italinë dhe Zvicrën. Më vonë pati edhe një tjetër takim me rusët nga ora 21:30 deri në 23:00.
Ëitkoff dhe Kushner janë përpjekur të marrin qasjet që funksionuan në Gaza dhe t’i aplikojnë në konflikte të tjera, duke i përshtatur sipas personaliteteve dhe dinamikave të ndryshme.
Vendet dhe aktorët mund të jenë të ndryshëm, por ideja e përgjithshme se gjithçka i ngjan një marrëveshjeje biznesi, mbetet e njëjtë.
Kjo qasje biznesi nuk pritet mirë nga të gjithë, veçanërisht nga ata që janë mësuar me diplomacinë tradicionale me ekspertë dhe struktura të qëndrueshme institucionale.
“Mendësia e biznesit mund të jetë e dobishme në negociatat diplomatike, e kthjellët, pragmatike dhe e orientuar drejt rezultateve,” tha një ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit nga mandati i parë i Trump. “Por kjo do të thotë të kuptosh mirë me kë po bën biznes. Përvoja në biznes nuk mund të zëvendësojë njohjen e rajonit, të Islamit dhe të interesave të Hamasit dhe Iranit.”
Dy zyrtarët e administratës thonë se një ekip i vogël shmang rrjedhjet e informacionit dhe kundërshtojnë idenë se Ëitkoff dhe Kushner nuk përdorin ekspertë. Stafi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare ka punuar në negociatat mes Izraelit dhe Hamasit, ndërsa zyrtarët e Departamentit të Shtetit janë përfshirë në negociatat për luftën Rusi-Ukrainë.
Megjithatë, ndonjëherë janë vetëm dy miqtë e afërt të Trump që “ulen për disa orë para tastierës” dhe hartojnë dokumente të ndjeshme, si plani me 20 pika për paqen Izrael-Gaza.
“Aseti i tyre kryesor është marrëdhënia me presidentin dhe, si pasojë e saj, aftësia për të kapërcyer pengesat burokratike që vendosin partnerët tanë,” tha Miller.
Një zyrtar i administratës Biden ra dakord se Kushner dhe Witkoff kanë një avantazh, sepse të gjithë e dinë se janë ndër të paktët njerëz që Trump i dëgjon.
Administrata thotë se ata kanë pasur më shumë sukses sesa u njihet, duke përmendur Gazën dhe një shkëmbim të madh të burgosurish mes Rusisë dhe Ukrainës javën e kaluar.
Sa i përket Iranit, administrata thotë se Teherani thjesht nuk pranoi të negociojë.
“Ata thanë: ‘Kemi të drejtë të patjetërsueshme për pasurim uraniumi’,” tha Witkoff. “U mburrën se kishin karburant të pasuruar në 60 për qind, të mjaftueshëm për 11 bomba. Na thanë mua dhe Jared-it: ‘Nuk do t’ju japim me diplomaci atë që mund ta merrni me forcë ushtarake.’”
Ndërsa për Ukrainën, zyrtarët këmbëngulin se një përparim është vetëm çështje kohe.
“Këto gjëra janë shumë të paparashikueshme. Gjithçka ndryshon vazhdimisht,” tha një zyrtar, duke shtuar se edhe ngjarje të rastësishme mund të bëhen pika kthese për një marrëveshje.
Kjo u jep atyre besim se ekziston një mundësi, sado e vogël që diçka të ndryshojë edhe në konfliktin Rusi-Ukrainë dhe ta detyrojë Vladimir Putinin ose Volodymyr Zelenskyn të rishikojnë kalkulimet e tyre politike.
Burimi: Politico/ Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje