Nga Gazeta ‘Si’ – Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë ka shkuar për vizitë në Manastirin e Deçanit, një ditë pas Qeveria urdhëroi regjistrimin e tokës.
Ai ka vizituar edhe Komunën e Pejës ku ka takuar kryetarin Gazmend Muhaxheri, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave nga Gorazhdeci, si dhe me të rinjtë nga komuniteti shqiptar, serb dhe boshnjak në këtë komunë.
LEXO EDHE:
– Takimi me Escobar, opozita kosovare: Na tha që raportet SHBA-Kosovë janë në nivelin më të ulët se kurrë
– Escobar diskuton me politikanët serbë në Kosovë për dinarin
– Vullnetarët serbë në Rusi kërcënojnë NATO-n për ndërhyrje në Kosovë: Do ta kthejmë tokën tonë
Escobar nga atje tha se pa që njerëzit po vuajnë dhe se kanë vështirësi reale për marrjen e pensioneve të tyre.


Për jetesën e serbëve në Kosovë, ai tha se do ta mbajnë përgjegjëse Qeverinë e Kosovës.
“Desha të vij në këtë vend për të dëgjuar historitë nga dora e parë që kanë njerëzit mbi ndikimin që është duke pasur vendimi i BQK-së. Është e vështirë që të dëgjohen këto histori dhe të mos lëvizet. Këtu është një komunitet që vërtetë janë duke vuajtur. Ka njerëz të cilët po përballen me vështirësi reale të mungesës së opsioneve për marrjen e pensioneve. Kështu që, unë dua vërtet që të punoj me Qeverinë me shpresën që të gjejmë një zgjidhje të menjëhershme”, tha ai.
Escobar në një prononcim për median lokale në gjuhën serbe “Radio Gorazhdevac” tha se serbët në Kosovë dhe të gjithë që jetojnë këtu duhet ta ndiejnë mbështetjen e SHBA-së.
“Për komunitetin këtu, unë dua që këta të ndiejnë dhe të dinë se qeveria amerikane do që serbët të jetojnë në Kosovë në kushte të sigurisë dhe dinjitetit dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë. Dhe për Qeverinë e Kosovës – ata kanë përgjegjësinë që kjo të ndodhë dhe ne do ta mbajmë përgjegjëse për këtë”, shtoi ai.
Gjithashtu, Escobar shtoi se marrëveshja e fundit Kosovë-Serbi duhet të zbatohet dhe tha se për këtë do të vazhdohet të punohet.
“Ndërkohë, në terma afatgjatë, ne duhet të punojmë fort për të zbatuar marrëveshjen historike për normalizim që e arritëm në mars të vitit të kaluar. Kështu që, ne do të vazhdojmë të punojmë, por ndërkohë mendoj që të gjithë njerëzit e Kosovës mund të llogarisin në mbështetjen amerikane, përfshirë shqiptarët, serbët, boshnjakët, të gjithë që jetojnë në këtë vend. Shpresoj që e ndiejnë mbështetjen amerikane dhe partneritetin amerikan”, tha Escobar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.