Futboll

Dinamo krijon iluzione, Tirana fiton derbin me një përmbysje të madhe

Gazeta Si – Dinamo duhet të presë ende për të fituar një ndeshje derbi këtë sezon. Edhe këtë herë kjo skuadër është mundur nga Tirana në ‘Niko Dovana’, madje me përmbysje nga 2-0 në 2-3. Edhe pse nuk është ajo Tirana më e mirë dhe pa blerje në merkato, sërish ka treguar se mbetet një ‘kockë e fortë’.

Dy golat e shënuar nga Zabërgja dhe Andoni (një gol shumë i bukur nga ky i fundit) për Dinamon u zhvlerësuan shumë shpejt. Për 4 minuta në pjesën e dytë Tirana barazoi shifrat me kapitenin Hoxhallari dhe Deliun.

Derbi i parë i 2024-ës u vendos nga një penallti e fituar nga Kaina dhe e kthyer në gol nga Latifi. Me këtë gol Tirana ka marrë 3 pikët e para të këtij viti, por mbi të gjitha ka treguar se është një skuadër që të frikëson në çdo moment.

Dinamo në anën tjetër nuk po arrin të bëjë atë hapin e rëndësishëm përpara, duke shpërdoruar pikë që duken të sigurta. Për të dytën herë këtë sezon kjo skuadër është mundur 3-2, kur ka qenë në avantazh të 2 golave. Një tregues i qartë për një Dinamo të brishtë, që mbetet në kuotën e 22 pikëve, ndërsa Tirana shkëputet për momentin nga Vllaznia dhe shkon 29 pikë, në vend të tretë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë