Lajme

Dilemat teknike dhe etike të kiber-njeriut të Elon Musk

Në harkun kohor të 25 viteve, Elon Musk i ka treguar shumë botës, që nga hedhja e parakohshme në treg e një banke online, çatitë që shndërrojnë energjinë diellore në energji për pajisjet shtëpiake, një makineri që hap tunele nëntokësore, anijen hapësinore shumëpërdorishme, makinën elektrike, e madje edhe makinën elektrike që “rastësisht” fluturon në hapësirë.

Por, gdhendjen e emrit në histori, miliarderi amerikan mund ta ketë arritur falë një miu të vogël në laboratoret e “Neuralink”, kompani që Musk e themeloi dy vite më parë me një kapital fillestar prej 100 milionë dollarësh. Qëllimi dhe ambicia që Musk dhe ekipi i tij i kishin vendosur vetes ishte zbulimi dhe zbatimi i teknikave në gjendje që të lidhin në ndërveprim trurin njerëzor me një kompjuter.

Ndryshe nga arritjet me kompaninë “SpaceX”, apo me “Teslan”, për vetë natyrën e punës kërkimore, “Neuralink” është mbajtur e fshehtë nga Elon Musk, deri së fundmi, kur një ekip i kësaj kompanie doli para mediave për të njoftuar se kishte arritur që të regjistronte aktivitetin e trurit të një miu tek një njësi kompjuterike duke përdorur mikroelektroda të implementuara paralel me neuronet dhe sinapset e kafshës.

Është ende herët për të folur, por arritja mund të cilësohet një hap gjigant përpara dhe me efekte anësore minimale në krahasim me teknikat e tjera të ngjashme, që komunitete shkencëtarësh po përpiqen të zbatojnë. Për këtë arsye, Presidenti i “Neuralink”, Max Hodak njoftoi se kishte kërkuar nga Administrata e Barnave dhe e Ushqimit në SHBA licencimin për të nisur testimet tek njerëzit që në muajt e para të 2020-s.

Objektivi është shpimi i katër vrimave nga 8 milimetër në kafkën e pacientëve të paralizuar dhe futja në këto vrima e mekanizmave që do t’u sigurojë këtyre personave aftësinë për të kontrolluar kompjuterat dhe telefonët inteligjentë me forcën e mendimit.

“Shumë mendojnë se kjo është e pamundur. Por, brenda kësaj dekade gjëra madhështore na presin në këtë drejtim. Pesimistët dhe kritikët duhet të na marrin seriozisht”, thotë Hodak.

Testimi do të kryhet tek individë të paralizuar që do të dalin vullnetarë, por në rast suksesi basti i Elon Musk është shumë herë më ambicioz. Miliarderi amerikan mendon se në një të ardhme jo fort të largët shumë njerëz do të zgjedhin që të kenë “kibernetikisht” (term që bashkon kibernetikën me gjenetikën) të njësuar mendimet në kokën e tyre me pajisjet kompjuterike, fundja kujt nuk do t’i pëlqentë që të lundronte në kompjuterin, laptopin apo telefonin e vet inteligjent pa shtypur asnjë buton, por vetëm duke menduar?

Elon Musk duke tymosur gjate nje interviste radiofonike

“Mund të tingëllojë e çuditshme, por do të realizojmë një formë simbioze me inteligjencën artificiale. Kjo nuk është me detyrim. Është diçka që e zgjedh, e do apo jo. Unë mendoj që ky zbulim është një hov gjigant në kapërcimin në një tjetër nivel qytetërimi për ne”, deklaronte i emocionuar vetë Elon Musk.

Për dekada me radhë, shumë shkencëtarë, filozofë, njerëz të thjeshtë e artistë nga të cilët janë frymëzuar me qindra prodhime hollivudiane, janë përpjekur që të imagjinojnë ndjesinë e një truri të superfuqishëm në gjendje që me forcën e mendimit të kushtëzojë dhe kontrollojë veprimet e sendeve përreth. Zbulimi i “Neuralink” është diçka e ngjashme, por që në vetvete ka një rrezik. Mekanizmi i Elon Musk lidh një tru njerëzor me një tru artificial. Marrë shkas nga kjo, kritikët ngrenë shqetësimin se cili tru do të kontrollojë tjetrin? A ekziston rreziku që inteligjenca artificiale të kontrollojë atë njerëzore?

Pyetjet që ngrenë kritikët kanë qenë shqetësimi i artikuluar më së shpeshti nga fizikanti i ndjerë britanik, Stephen Hawking, nga Bill Gates e madje edhe nga vetë Elon Musk. Hawking e sheh inteligjencën artificiale si thikë me dy presa për njerëzimin, ndërsa kreu ekzekutiv i Google, Sundar Pichai thotë se shpikja e një inteligjence artificiale plotësisht të pavarur do të jetë edhe më e madhe se shpikja e elektricitetit për nga ndikimi në jetën e njeriut, por edhe ai kërkon kujdes “kirurgjikal” në këtë fushë.

Sundar Pichai, drejtori ekzekutiv i Google

“Sigurisht, rreziku ekziston. Ne duhet të jemi gjithmonë të vëmendshëm dhe të jemi një hap para e t’i kemi nën kontroll. Një hap i rëndësishëm është çmilitarizimi i inteligjencës artificiale. Për këtë, të gjitha vendet duhet të bien dakort që të mos e përdorin këtë formë inteligjence për qëllime ushtarake. Kjo do të ishte shkatërruese”, deklaronte Pichai gjatë një seminari në shkurt të 2018-s.

Edhe vetë Elon Musk kërkonte kujdes me inteligjencën artificiale në 2017, pak muaj pasi kishte themeluar “Neuralink”. “Unë vazhdoj që t’i bie këmbanës së alarmit dhe kur njerëzit të shohin robotët në rrugë duke vrarë njerëz, nuk do të dinë si të veprojnë”, deklaronte ai gjatë një takimi informal me guvernatorë amerikanë me tematikë inteligjencën artificiale dhe risqet e saj.

Në skenarin e zymtë të Musk parashikohet se nëse nuk tregohet kujdesi i nevojshëm në kontrollin e inteligjencës artificiale, njerëzimi shndërrohet në qytetar i dorës së dytë në një të ardhme të dominuar nga robotët.

Frika se njeriu mund të humbasë në betejën për kontroll mbi inteligjencën artificiale është një pengesë etike që mund të tejkalohet lehtësisht. Pengesa tjetër për “Neuralink” të Elon Musk është teknike. Testimi tek minjtë, e madje edhe tek majmunët ka rezultuar me sukses, por mbetet për t’u parë nëse po kaq i suksesshëm ky testim do të jetë tek njeriu.

Kirurgë dhe shkencëtarë të tjerë shprehen pesimistë. Pengesa më e madhe është vetë natyra e trurit njerëzor. Ata thonë se truri i njeriut priret që çdo objekt të huaj që hyn përtej kafkës, sado i vogël që të jetë trajtohet si objekt armiqësor dhe izolohet. Kjo do të thotë, sipas neurokirurgëve se për shkak të këtij izolimi mikroelektrodat me miniçipet e “Neuralink” nuk do të jenë në gjendje që të dërgojnë sinjal tek perceptorët e inteligjencës artificiale.

“Neuralink” shpreson ta tejkalojë këtë pengesë, duke marrë parasysh faktin se bëhet fjalë për objekte të përmasave sa një e katërta e përmasave të qimes së flokut. Për instalimin e tyre në kokë kompania ka ndërtuar një robot që duke shfrytëzuar teknologjinë e skanimit përmes lazerit identifikon zonat ku duhen mbjellë minielektrodat. Ato më pas do të funksionojnë si receptorë për kapjen e sinjaleve të neuroneve të trurit njerëzor dhe më pas këto sinjale i përcjellin drejt kompjuterit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë