Mendim

Dilema e teknologjisë së vendeve të varfra

Nga Dani Rodrik* – Zhvillimi ekonomik mbështetet në krijimin e vendeve më produktive të punës për një pjesë gjithnjë në rritje të fuqisë punëtore. Tradicionalisht, ishte industrializimi që u mundësoi vendeve të varfra të nisnin këtë transformim.

Puna në fabrikë mund të mos ketë qenë e lavdishme, por u dha mundësi fermerëve të bëhen punëtorë të jakave blu, duke transformuar ekonominë dhe shoqërinë si rezultat.

Shumë vende me të ardhura të ulëta në Afrikë dhe gjetkë shpresojnë të ndjekin një rrugë të ngjashme në të ardhmen. Ndërsa askush nuk e pret doemos suksesin në shkallën e Kinës dhe tigrave të Azisë Lindore para tij, industrializimi dhe integrimi në zinxhirët e vlerave globale shihen si thelbësore për rritjen e  shpejtë ekonomike – ose rivendosjen pas pandemisë COVID-19 – dhe krijimin e një numri të madh të vendeve të punës për popullatën e re të Afrikës.

Para pandemisë, vendet afrikane tashmë kishin arritur disa suksese në industrializim. Etiopia ka krijuar një sektor të veshjeve dhe këpucëve të orientuara drejt eksportit, me ndihmën e investitorëve kinezë dhe evropianë.

Tanzania ka ndërtuar një sektor prodhimi më burimor-intensiv të përqendruar në shërbimin e tregjeve vendore dhe rajonale. Hulumtimet e fundit sugjerojnë që de-industrializimi i parakohshëm, të cilit i ishte nënshtruar kontinenti, mund të ishte ndalur ose edhe të ishte përmbysur pas fillimit të viteve 2000.

Ka një fërkim megjithatë. Firmat e tyre prodhuese ose mund të bëhen më produktive dhe konkurruese, ose mund të gjenerojnë më shumë punë. Bërja e të dyjave në të njëjtën kohë duket shumë e vështirë, në mos e pamundur.

Kjo dilemë të kujton një shqetësim të vjetër në literaturën e zhvillimit mbi teknologjitë e papërshtatshme. Autorë të tillë si E.F. Schumacher shqetësoheshin në vitet 1970 se teknologjitë perëndimore favorizonin impiantet në shkallë të gjerë, me kapital të papërshtatshëm për kushtet në vendet me të ardhura të ulëta. Shqetësime të tilla u zhdukën nga zgjerimi fenomenal i punësimit në prodhim , në vendet industriale, të orientuara drejt eksportit në dekadat pasuese.

Ndoshta do të na duhet ta rikthejmë idenë. Modelet e fundit të ndryshimit teknologjik në ekonomitë e përparuara duket se e kanë bërë më të vështirë për vendet me të ardhura të ulëta të zhvillohen dhe konvergojnë  me nivelet e të ardhurave në pjesën tjetër të botës.

Këto ndryshime kanë kontribuar në thellimin e dualizmit ekonomik dhe teknologjik edhe brenda segmenteve më të përparuara të ekonomive të vendeve në zhvillim. Kjo është edhe një arsye tjetër për një debat publik mbi drejtimin e ndryshimit teknologjik dhe mjetet që qeveritë kanë për ta riorientuar atë./ Project Syndicate. Përktheu: Gazeta “Si”.

*Dani Rodrik, Profesor i Ekonomisë Politike Ndërkombëtare në Shkollën e Qeverisë John F. Kennedy të Universitetit të Harvardit, është autori i “Bisedë e  Drejtë mbi Tregtinë: Ide për një Ekonomi Botërore të Shëndoshë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë