Kinema

Diktatura në Shqipëri që as sot nuk ‘prodhon’ dot një Oscar

Nga Liridon Mulaj – Jeta nën thundrën e  diktaturës dhe pasojat e regjimeve mbi popujt kanë qënë për dekada me rradhë subjektet e parapëlqyera të industrisë botërore të filmit por në Shqipëri kjo nuk po ndodh.

Nga viti 1945 deri në vitin 1991, Shqipëria kaloi padiskutim diktaturën më të egër dhe më gjakatare në Europë.  Mijëra shqiptarë u vranë pa gjyq nëpërmjet pushkatimit dhe po ashtu mijëra tjerë u internuan dhe burgosën duk  prodhuar drama familjare por dhe kolektive të cilat për nga përmasa e tragjizmit, tejkalonin çdo ficiton apo subjekt kinematografik.

Ndoshta duke qënë se brutaliteti arriti përmasa të paimagjinueshme, shumë regjisorë apo skenaristë të cilët e jetuan regjimin , nuk arritën të ndërtonin  një material i cili e prezantonte atë periudhë në përmasa reale dhe objektive pa rënë pre e një hiperbolizimit thuajse deri në mitizim.

Kinematografia shqipe e periudhës së post-diktaturës prodhoi kryesisht filma e subjekte klishe dhe të përsëritura pa ia dalë të krijojnte një produkt të mirë me skenar të kopsitur dhe më një regji e cila do ti tejkalonte deri diku këndvështrimet e mentaliteti shqiptar. Pra në njëfarë mënyrë të prodhonte diçka globale.

Nxitje për këtë reflektim u bë filmi brazilian me titull “I’am still here” me regjisor Ëalter Sallas, dhe trajtesën që i bëntë në një shkrim gazetari dhe shkrimtari Dashnor Kokonozi i cili vinte në pah vlerat artistike të një filmi të shkëlqyer dhe realist.

“I’am still here” është film që bazohet në periudhën diktatoriale të  Brazilit në vitet 60 deri në vitet 80 ku familja e Fernanda Torres, pëson në kurriz represionin dhe survejimin e vazhdueshëm të diktaturës mbi familjen e saj. Filmi u shpall fitues i çmimit Oscar  si filmi më i mirë ndërkombëtar.

Diktatura në Brazilin e viteve 60-të pati efekte tragjike mbi popullsinë vendase, por si çdo diktaturë “light” e  vendeve të Amerikës Latine, edhe kjo e Brazilit pati pikun e saj ashtu siç pati dhe periudhat e saj të liberalizimit të jetës shoqërore, politike dhe kulturore. Por asnjëhëre nuk arriti në nivelet e diktaturës shqiptare e cila në 45 vite pati vigjilencën e duhur për ta mbajtur vendin nën “morsën” e pushtetit.

Sigurisht që aftësitë regjisoriale e prodhojnë artin jo në bazë të përmasës së masakrës por në bazë të ndjeshmërisë, por edhe në këtë aspekt, populli shqiptar vuajti fatin më tragjik të mundshëm çka do të përbëntë subjektin ideal për secilin regjisor të madh të kinematografisë botërore.

Robert Budina: Mungesa e lobingjeve dhe financave sjell dhe pabarazinë mes produksioneve.

Robert Budina është një nga regjisorët të cilët me filmin “ Një pikë ujë” u përzgjodh për të përfaqësuar Shqipërinë në Oscar. Edhe pse nuk ia doli të ishte në top pesëshë, ai i ka të qarta arsyet se pse filmat shqiptar nuk kanë mundur  të jenë në Oscar.  Ai jep versionin e tij se pse filmat shqip ende nuk kanë arritur të sigurojnë një vend në nominimet Oscar. Në një rrëfim për GazetaSi.al , Budina thotë se përveç mungesës së qëmtimit të temave të mëdha të cilat janë dhe mund të jenë trend i kohës në vitet e ardhshme, mungojnë edhe lobingjet.

Robert Budina

“Të arrish në Oscar, nuk është thjesht çështje cilësie e një filmi. Ideja e veçantë, tema apo problematika që trajton duhet të të përshtatet me trendin e kohës, dhe këtë askush nuk e di pasi një film që të realizohet merr tre apo katër vjet .

Duhet një lobim shumë i i fortë që anëtarët e akademisë ta shohin dhe duhet një fushatë marketingu që shkon qindra mijëra dollarë dhe që ta kesh këtë mundësi duhet të kesh një agjent shitjesh apo distributor ndërkombëtar që është i gatshëm ta investojë këtë shumë me besimin se do t’i kthehet mbrapsht. Për një film në gjuhën shqipe është pak më e vështirë, sepse përveç cilësisë së padiskutueshme dhe të qenit krejt i veçantë, tema duhet të jetë absloutisht universale” thotë Budina.

Por Budina shton se kriteret e pranimit bazohen dhe në rrugëtimin e filmit që nga pjesëmarrja në festivale të tjera të rëndësishme të filmit e deri tek prodhimtaria vjetore e kinematografisë së një vendi.

“ Fillimisht filmi duhet në pjesën më të madhe të ketë qenë në në një nga festivalet më prestigjoze si Cannes, Berlin Venezia, Sundence dhe të ketë fituar çmime atje. Shqipëria nuk është çdo vit e pranishme me prodhime të filmave art në tregun ndërkombëtar, kur aplikon në këto festivale ç’ka do të thotë që nuk është një lojtar i fortë që të impnonohet me prodhimet e saj dhe duke aplikuar e prodhuar rrallë mundësitë i ka shumë të kufiizuara. Në Shqipëri për shkak të shumë problematikave QKK, ka hapur rrallë konkurset për filma të gjatë, në tre apo katër vjet” shprehet regjisori Budina për Gazeta SI.  

Referuar Oscar-ve të sivjetshem per filmin më të mirë ndërkombëtar që e fitoi filmi ” Iam still here” një produksion brazilian me temë  mbi diktaturën dhe pasojat e saj, Budina shpjegon se pse diktatura shqiptare si subjekt ende nuk ka arritur të prodhojë një film universal .

“Duke prodhuar rrallë dhe temat që trajtohen janë me pakicë, por gjithsesi filma nga kjo periudhë janë prodhuar. Kujtoj, “Kolonel Bunker” nga Kujtim Çashku (1997), “Parrulat” nga Gjergj Xhuvani (2001), “Delegacioni” nga Bujar Alimani (2018) dhe të gjithë për mendimin tim kanë qënë filma shumë cilësorë dhe kanë fituar çmime shumë të rëndësishme në festivale të kategorisë A si Cannes apo Varshavë.

Personalisht mendoj se ajo periudhë nuk është qëmtuar sa duhet, pasi edhe shumë probleme të shoqërisë tonë e kanë zanafillën pikërisht nga diktatura.Pyetja juaj në fakt përkon me momentin kur filmi im i ardhshëm do të jetë pikërisht nga ajo kohë. Po e lë në përgjithësi, sepse është shumë herët për ta bërë publike. Në momentet gjeopolitike që jetojmë, bota po shkon drejt përballjes me sisteme autoritare dhe mendoj që kjo temë edhe për disa vite nëse realizohet me cilësi të lartë mund të ketë jetë të gjatë në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare” mbyll rrëfimin Budina.

Gentian Koçi: Duhet distancë nga periudha e diktaturës në mënyrë që të kemi filma të mirë dhe objektiv.

Gentian Koçi është një tjetër regjisor i suksesshëm i cili ka qënë pranë pjesëmarrjes në short listën e çmimeve Oscar me filmin e tij “Një filxhan kafeje dhe këpucë të reja veshur” një film i cili nuk prek temat e diktaturës por që sjell një frymë të re në kinematografinë ekzistenciale shqiptare.

Ai ka një tjetër këndvështrim arsyen se pse subjektet nga diktatura nuk prodhuan dot një film universal që të pretendonte një skenë të madhe si ajo e Oscar.

Gentian Koçi

“ Kinematografia e pas viteve 90 ka prodhuar filma shumë të mirë mbi diktaturën ashtu siç ka prodhuar edhe filma shumë të dobët . Mund të them që regjisorët që e kanë jetuar atë epokë e kanë të vështirë të krijojnë një distancë me regjimin dhe regjisorët e rinj nuk e kanë jetuar dhe nuk e njohin sa duhet atë kohë për ta trajtuar në qelizë. Filmi “Im still here” flet për diktaturën e vitit 60-70 në Brazil ndërkohë që filmi është realizuar në 2024-ën, pra janë dashur thuajse gjashtëdhjetë vite për ta përpunuar sistemin dhe pasojat e tij” thotë Koçi.

Për sa i përket faktit që asnjë produksion shqiptar s’ka arritur të jetë në short-listën e Oscar, rregjisori Koçi nuk e sheh si dramë. Sipas tij ka shumë shtete të cilat nuk kanë arritur të hynë në short-listë.

“ Fakti që asnjë produksion shqiptar nuk ia ka dalë të jetë në short listë unë nuk e shoh si dramë. Madje ka shumë shtete të tjera edhe më të mëdha dhe më të fuqishme se ne të cilat nuk ia kanë dalë ende të sigurojnë një vend në short-listën e Oscar.”

Ai shton se vetë çmimet Oscar janë krijuar kryesisht për kinemanë Hollivudiane duke lënë një numër të vogël vendesh për kinematë e huaja. Ky sipas tij është dhe një aspekt.

“ Cmimet Oscar janë krijuar fillimisht për të vlerësuar kinemanë amerikane, pra hollivudin. Ka një kriter ku lejohen vetëm pesë vende për kinematë e huaja të cilat sipas meje prodhojnë filma shumë të mirë. Nuk duhet ta shohim Oscar si një vend ku duhet të shkojmë patjetër. Sigurisht skena e Oscar është një arritje sepse përveç autorit aty përfaqsohet dhe shteti. Kështu krijohen mundësi më të mëdha për financime në projektet e ardhshme”

Mungesën e një produksioni shqiptar në Oscar, Koçi e sheh më shumë si një mungesë e marketimit dhe lobingjeve sesa mungesë të cilësisë së filmave apo produksioneve.

“ Nuk mendoj se produksioneve shqiptare iu mungon diçka thelbësore. Më shumë është çeshtje lobingjesh dhe financash. Mendoj se kinematografia shqiptare e viteve të fundit po prodhon filma shumë të mirë të cilët janë pjesë e festivaleve të rëndësishme të kategorisë A, ku dhe konkurrenca është e llahtarshme nëse mund të përmend këtë term. Por ajo që i mungon kinemasë shqiptare janë buxhetet të cilat janë të ulëta dhe që nuk krahasohen as me vendet e rajonit. Këtu është puna e qeverisë shqiptare e cila duhet të japë më shumë buxhet në mënyrë që të stimulojë regjisorët dhe produksionet por dhe të na bëjë më konkurrentë me vendet e tjera ” përfundon Gentian Koçi.

Oscar Schindler “versus” Kolë Bibë Mirakaj

Filmi “Schindler list” i vitit 1994 përshembull trajton historinë e Oscar Schindler, një industrialisti gjerman i cili shpëtoi nga vdekja 1200 hebrenjë. Sigurisht tematika e luftës së dytë botërore mbetet qendrore si trajtesë në filmat hollivudianë për shumë arsye, që nga lobingjet e interesat e deri te fakti se vrasja e 6 milionë hebrenjëve ndryshoi përfundimisht historinë e po ashtu gjeografinë e botës.

 Por jo më pak interesante  le të themi mbetet  historia e ministrit të brendshëm të Shqipërisë së 1943-shit,  Kolë Bibë Mirakaj  i cili me një urdhër pajisi me pasaportë shqiptare 2 mijë hebrenjë duke i kaluar në brigjet e Italisë dhe duke i shpëtuar kështu përfundmisht  nga nazizmi .

Ky krahasim është krejtësisht legjitim, sepse të dy këto akte kanë ndodhur në të njëjtën periudhë dhe në mbrojtje të së njëjti grup vunerabel siç ishin hebrenjtë asokohe.

A ia vlen kjo ngjarje si subjekt filmi? Që të kuptohet se shembulli i Schindlerit nuk ishte i vetmi në Europën e luftës së dytë botërore dhe se tiparet humaniste u demonstruan edhe nga një popull i vogël në mes të Europës i cili vetë më pas u bë viktimë e represionit dhe vrasjeve masive.

Sigurisht pra që ia vlen duke pasë parasysh se edhe vende shumë më të fuqishme ekonomikisht dhe ushtarakisht sesa Shqipëria nuk e ndërmorrën një nismë të tillë, përkundrazi u shndërruan në “thertore” satelite të Gjermanisë naziste.  

Atëherë pyetja që lind është , pse këto ngjarje nuk arritën kurrë të prodhonin një art të njohur ndërkombëtarisht, një dokumentar apo një film i cili do t’ia shpallte botës sesi një shtet kaq i vogël në mes të Europës,  prodhoi kaq shumë vuajtje. Pse jo të pretendonte edhe për një Oscar, ose së paku një nominim?

Përgjatë viteve të post-diktaturës ka pasur diskutime të shumta mbi efektivitetin e kinematografisë shqiptare në komunizëm, por thuajse askush  nuk mori së paku mësim nga ajo periudhë që ta kthente të gjithë këtë analizë në një reflektim e më pas në një subjekt filmi i cili pse jo, do të përfaqësonte karakterin por dhe pasojat e sistemeve diktatoriale mbi popullin tonë. Gjithsesi shpresat dhe aspiratat se një ditë edhe Shqipëria do të jetë pjesë e një skene të madhe botërore të filmit, janë ende të gjalla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë