Gazeta Si- Donald Trump hyn në betejën për udhëheqjen e Senatit të “sapopushtuar” nga republikanët dhe tashmë është në kërkim të ndryshimeve të mëdha të para në demokracinë amerikane, përkatësisht mundësinë për të bërë emërime në administratë dhe për drejtësi, duke anashkaluar miratimin e Senatit, ku fjalën e saj në procesin e konfirmimit, e ka edhe opozita.
“Çdo senator republikan që aspiron pozicionin e lakmuar të liderit në Senatin e Shteteve të Bashkuara, duhet të pranojë nominimet gjatë pushimeve të veprimtarisë (në Senat!), pa të cilat nuk do të mund të marrim konfirmimet në kohën e duhur”, është diktati i tij në rrjetin “Truth Social”.
Miliarderi i referohet një klauzole kushtetuese, që e lejon presidentin të bëjë emërime të përkohshme kur Senati nuk është në seancë.
Një pushtet që ishte krijuar për të garantuar funksionimin e qeverisë në rast nevoje, por që disa presidentë e kanë përdorur për qëllime politike duke emëruar drejtues, të cilët përndryshe do të kishin vështirësi të konfirmoheshin në Senat, ku duhen 60 vota.
Trump mund të llogarisë në një shumicë prej të paktën 53 senatorë, por me sa duket, nuk e konsideron të mjaftueshme as mbështetjen minimale dypartiake për zgjedhjet e tij, të cilat për këtë arsye premtojnë të jenë potencialisht të diskutueshme.
Në prill 2020, i frustruar me ritmin e ngadaltë të Senatit për të konfirmuar nominimet e tij, presidenti i atëhershëm Trump kërcënoi se do të ndërmerrte hapin e paprecedentë të pezullimit të njëanshëm të Kongresit për të bërë nominime gjatë pushimit. Brenda pak minutash, senatori Rick Scott, i doli në krah, duke u zotuar se do të plotësojë kërkesën e Trump nëse ai bëhet lider i republikanëve në Senat: “Jam dakord 100%. Unë do të bëj gjithçka që duhet për t’i kaluar nominimet tuaja sa më shpejt që të jetë e mundur”, – shkroi ai në “X”.
Aleatët kryesorë të Trump, duke përfshirë Elon Musk dhe një sërë influencuesish të ekstremit të djathtë, u rreshtuan shpejt pas kandidaturës së Scott, kandidatit më “Magjistar”.
Një tjetër kandidat për udhëheqjen e Senatit, senatori John Thune, tha se ishte i hapur ndaj kërkesës së Trump, duke thënë për “Fox Neës” se “të gjitha opsionet janë në tryezë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.