Mbrëmjen e së mërkurës u përfshi nga flakët Muzeu i Muzikës në Gjakovë. Edhe mbërritja e shpejtë e zjarrfikësve nuk bëri të mundur shpëtimin e strukturës. Duke qenë se një pjesë e madhe e muzeut ishte prej druri, flakët u përhapën me shpejtësi dhe vështirësuan operacionin e zjarrfikësve.
Muzeu i Gjakovës ishte një institucion me vlera, që dokumentonte kulturën muzikore shqiptare. I vetmi institucion në llojin e tij, në Kosovë dhe trevat e tjera shqipfolëse.
Në vendin e ngjarjes ishin edhe zyrtarët komunalë në mesin e tyre edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini.
Ndërkohë përmes një reagimi në Facebook zyrtarët për informim pranë komunës së Gjakovës thanë se ajo që ndodhi është një lajm i keq për Gjakovën.
“Ndërsa e mira e gjithë kësaj është se në objektin e djegur nuk ka qenë asnjë artefakt i muzikës që do të thotë se të gjitha elementet që kanë vlera artistike e historike kanë shpëtuar. Si komunë presim hetimin e policisë për të kuptuar shkakun e zjarrit”, thuhej në reagimin e zyrtarëve për informim të Komunës së Gjakovës.
Ndërtesa ishte kthyer në një muze funksional që prej vitit 2016.
“E trishtuar nga lajmi për djegien e objektit të Taphanës, dikur Muzeu i Muzikës në Gjakovë. Objekti përveç se ishte objekt nën mbrojtje, kishte vlerë dhe rëndësi të veçantë për ridestinimin që ia dhamë në korrik të vitit 2016”, shkroi deputetja kosovare Mimoza Kusari, e cila ka qenë kryetare e Komunës Gjakovë në vitet kur objekti u kthye në muze.
Ndërkohë, etnomuzikologu Behar Arllati ka reaguar ashpër për djegien e Muzeut të Muzikës në Gjakovë.
Sipas tij, barbarët “e thyen, e vodhën e plaçkiten gjithë çka kishte brenda, e tjetërsuan si objekt, ia hoqën shkallët që të mos kishte mundësi të ngjitej lart njeri dhe më në fund, e dogjën barbarët”.
Ai ka thënë se ky veprim e dëshmon që jemi “larg civilizimit europian”.
Ai deklaron se as në qeverisjen e Mimoza Kusarit e as të Ardian Gjinit nuk janë ndarë paga për mbikëqyrjen e muzeut.
Ndër të tjera, etnomuzikologu Arllati është shprehur se barbarët ia dogjën krijesën “që me aq mund e krijova nën mbështetjen e Prof. Meriton Ferizi sa ishte drejtor komunal për kulturë”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.
Ndërkohë që organet përkatëse po hetojnë nëse ka qenë një zjarrvënie e qëllimshme apo jo, aktivistë të shoqërisë civile i kanë bërë thirrje Ministrisë së Kulturës së Kosovës të bëjë ç’është e mundur për ta rindërtuar muzeun e Gjakovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.