Komunitet

Dietat që shmangin bukën. Si u shkurtohet jeta shqiptarëve

Në momente të caktuara të gjithë vendosim të tregohemi më të kujdesshëm me ushqimet që konsumojnë në përpjekje për të humbur disa kilogramë, por biem shpesh pre e dietave ekstreme.  Duke u bazuar tek modelet perëndimore, edhe shqiptarët janë munduar të zëvendësojnë karbohidratet (sidomos bukën ose makaronat), me mish pule ose produkte të tjera por ekspertët kanë ngritur alarmin se kjo praktikë nuk është e shëndetshme.

Sipas një studimi të realizuar gjatë 25 viteve të fundit në SHBA, është zbuluar se dietat pa karbohidrate mund t’ju kushtojnë deri në katër vite jetë. Sipas ekspertëve, konsumimi i karbohidrateve dhe yndyrnave me bazë bimore është thelbësor për një organizëm të shëndetshëm. Karbohidratet përfshijnë perimet, frutat dhe sheqerin, por burimi kryesor i tyre janë produktet me bazë niseshteje, të tilla si patatet, buka, orizi, makaronat dhe drithërat.

Studimi zbuloi se njerëzit që merrnin 50-55% të energjisë së tyre nga karbohidratet, kishin një jetëgjatësi më të madhe. Shkencëtarët krahasuan më pas dietat pa karbohidrate, të cilat përmbanin proteina dhe yndyrna shtazore me dietat me karbohidrate dhe yndyra me bazë bimore. Ata zbuluan se personat që zëvendësonin karbohidratet me mish pule, apo qengji kishin një rrezik më të lartë vdekjeje se sa ata që zëvendësonin karbohidratet me më shumë proteina dhe yndyrna me bazë bimore, si bishtajoret dhe arra.

Sara Seidelmann, hulumtuese në mjekësinë kardiovaskulare në Boston ngre alarmin  për përdorimin e dietave pa karbohidrate, pavarësisht famës që kanë fituar në rrjetet sociale.  “Dietat që zëvendësojnë karbohidratet me proteina ose yndyra janë duke fituar popullaritet të madh për humbjen e peshës- shprehet ajo- Megjithatë, të dhënat tona sugjerojnë se dietat pa karbohidrate, të cilat janë shumë të përhapura në Amerikën e Veriut dhe në Europë, mund të lidhen me shkurtimin e jetëgjatësisë. Autorët spekulojnë se dietat që kufizojnë karbohidratet shpesh sjellin konsum më të ulët të perimeve, frutave dhe drithërave dhe çojnë në konsum më të madh të proteinave shtazore dhe yndyrnave, të cilat janë të lidhura me inflamacionin dhe plakjen. 

Nisur nga përhapja e këtij trendi në rrjetet sociale, edhe shqiptarët masivisht prej vitesh tashmë kanë filluar t’u përmbahen dietave pa karbohidrate. Por sipas dietologes Enkelejda Ferrollari këto dieta nuk janë as çudibërëse dhe as mënyra e vetme për të rënë nga pesha. Në një intervistë për Gazetën “Si” ajo thotë se dietat më të mira dhe shëndetshme janë dietat e ekuilibruara, që kanë raporte të caktuara karbohidratesh, proteinash dhe yndyrnash.

Enkelejda Ferrollari 

Cilat janë dietat që u këshilloni zakonisht miqve apo klientëve thuaj?

Dieta që unë rekomandoj është një dietë e ekuilibruar, që do të thotë mënyrë të ushqyeri që përfshin të gjitha grupet e ushqimeve pa eliminuar asnjë ushqim nga menuja e përditshme dhe në raporte të caktuara të përbërësve makro dhe mikroushqyes. Përbërësit makroushqyes janë proteinat, karbohidratet dhe yndyrnat. Një dietë e shëndetshme është një dietë e ekuilibruar ku: 50-60 për qind të kalorive ditore duhet të merren nga karbohidratet.

Karbohidratet i marrim në formën e drithërave, bukës, makaronave orizit, patatet. Duhet të përzgjidhen karbohidratet e përbëra dhe të kufizohen karbohidratet e thjeshta në formën e sheqerit. 20 për qind e karbohidrateve duhet të merren nga proteinat. Proteinat i marrim nga mishi, peshku, pula, bishtajoret si fasulet, thjerrëzat, qiqrat, etj. Bulmetrat si djathi, gjiza, etj. Si burim proteinash duhet të përzgjedhin ato shtazore në mënyrë të moderuar dhe bimoret. 30 për qind e kalorive ditore duhet të merren nga yndyrnat që duhet të mbizotërojnë ato bimore si vaji i ullirit, vaji i lulediellit, misrit, etj.  

Sipas mendimit tuaj, cila janë dietat që ndjekin në përgjithësi shqiptaret?

Mbipesha dhe obeziteti është një problem gjerësisht i përhapur edhe tek ne tashmë. Si rezultat i kësaj edhe njerëzit kërkojnë gjithnjë zgjidhje duke provuar alternativa me të cilat njihen në forma të ndryshme, nga miqtë, media, internet, etj. Nga eksperienca ime, më rezulton që edhe shqiptarët sikurse edhe çdo popull tjetër nëpër botë eksperimentojnë dhe provojnë mënyra nga më të ndryshmet për të zgjidhur problemet e peshës, qoftë ato të shëndetshme, qoftë ato të pashëndetshme, apo ato që janë në modë për kohën. Në rastet kur kanë zgjedhur mënyrat e pashëndetshme, ato që janë në modë, apo dietën që ka ndjekur një nga personazhet e njohura televizive, shpesh ndodh që të dështojnë. Kanë dështuar në zgjidhjen e problemit të peshës, pasi kanë humbur disa kile brenda një kohe të shkurtër të cilat i kanë rimarrë sërish, mbase edhe më shumë kur e kanë ndërprerë atë dietë të rekomanduar nga burime jo të specializuara. Por pasojat nuk janë vetëm mos arritja e peshës së dëshiruar, por shpesh kanë qenë të shoqëruara me probleme shëndeti, si anemi, rënie flokësh, probleme me veshkat, etj.

A keni konstatuar raste të qytetarëve që janë duke rrezikuar shëndetin e tyre, për shkak të dieta ekstreme, apo të pashëndetshme?

Kam pasur raste të shfaqjes së problemeve shëndetësore për shkak të dietave ekstreme, por fatmirësisht jo raste ekstreme. Kanë qenë probleme të korrigjueshme me një regjim ushqimor, të rregullt, të pasur me përbërës ushqyes dhe të larmishëm.

A kanë filluar t’i eliminojnë shqiptaret karbohidratet? Sa e rrezikshme është kjo?

Ka një tendencë për eliminimin e karbohidrateve edhe pse pa dëshirë. Jemi të bombarduar nga informacioni i cili kur nuk është i seleksionuar kthehet në diziformin. Ka një demonizim të karbohidrateve dhe shumica e artikujve nëpër rrjete sociale, apo internet reklamojnë si dieta çudibërëse dietat pa karbohidrate. Është krijuar bindja që eliminimi i karbohidrateve është e vetmja mënyrë për të rënë nga pesha. Kjo nuk është aspak e vërtetë dhe në të njëjtën kohë e dëmshme për organizmin. Karbohidratet duhet të përbëjnë 50-60 për qind të kalorive ditore edhe në rastin kur jemi duke ndjekur një dietë hipokalorike për të rënë nga pesha. Janë burimi kryesor i energjisë për organizmin. Glukoza është ushqimi kryesor për trurin, të cilën e gjejmë tek ushqimet, por që edhe organizmi e merr nga shpërbërja e karbohidrateve. Nëse nuk e furnizojmë organizmin me karbohidrate të përbëra jo në formën e sheqerit të tavolinës i cili është shumë i dëmshëm për trurin, organizmi do ta formojë glukozën dukë shndërruar proteinat dhe yndyrnat proces i cili është më i dëmshëm për organizmin dhe që shkakton mbetje të dëmshme për organizmin kur janë me tepri. Marrja me tepri e yndyrnave dhe e proteinave shtazore dhe eleminimi i karbohidrateve, i shkakton organizmit tepri ketonesh që janë pikërisht mbetjet që krijohen nga djegia e proteinave të cilat janë radikale të lira dhe veprojnë si helme në organizëm që dëmtojnë organet. Për këtë arsye organizmi shton punën e veshkave për t’u pastruar duke i mbingarkuar në këtë mënyrë dhe duke i dëmtuar. Dieta më e mirë dhe e shëndetshme është dieta e ekuilibruar që i ka në raporte të caktuara, karbohidratet, proteinat dhe yndyrnat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë