Menaxhim

‘Diella’ padit në Gjykatë qeverinë dhe AKSHI-n!

Nga Gazeta ‘SI’- Aktorja Anila Bisha, që ka shërbyer si imazh dhe zë i avatarit të ministres Diella, ka hedhur në gjyq qeverinë dhe AKSHI-n.

Në një padi në Gjykatën Administrative të Tiranës, Bisha kërkon që imazhi i saj të mos shfrytëzohet më për këtë funksion, të paktën deri sa të zgjidhet ligjërisht.

Bisha, me anë të një kontrate me AKSHI-n një vit më parë, ka pranuar të jetë fytyra dhe zëri i Diellës, por asaj asistente në e-Albania dhe jo asaj ministre të prokurimeve.

Në një deklaratë për mediat, vjeshtën e vitit të shkuar, pak pasi Rama prezantoi ministren e parë virtuale, Bisha tha se kontrata është deri në dhjetor.

Në emisionin “Opinion”, aktorja tha se nuk është paguar për “pozicionin” në kabinetin qeveritar”.

Diella, ministre e prokurimeve

Blendi Fevziu: Sa lekë more, do të të pyesin shqiptarët?

Anila Bisha: Po ta dija që do të ishte Diella kaq e famshme, kam marrë shumë pak, por kam marrë për Diellën e e-Albanias.

Blendi Fevziu: Ti nuk ke marrë për Diellën ministre?

Anila Bisha: Akoma. Por besoj se… Eksperienca me AKSHI-n ka qenë e shkëlqyer, kemi pasur dakordësi dhe gjithçka ka qenë korrekte.

Ndonëse nuk është e qartë arsyeja pse “Diella” shkoi në dyert e gjykatës, por gjasat janë që të lidhet me kohëzgjatjen dhe shtrirjen e përdorimit të imazhit, përtej kontratës.

Ngjarja vjen si një paradoks, ndërsa qeveria tenton të krijojë një ministër dhe një institucion tërësisht digjital, dhe nga ana tjetër përballet me ngërçin e të drejtave të autorit.

Diella u prezantua si ministre më 11 shtator 2025, si pjesë e kabinetit të qeverisë së katërt të Ramës. Opozita dhe ekspertët vendas e kundërshtuan dekretin e presidentit për të njohur Diellën si minsitre, duke theksuar se është anti-kushtetuese dhe e paditën në Gjykatën Kushtetuese.

Atëkohë, emërimi i Diellës, bëri xhiron e botës, shoqëruar dhe me shumë kritika nga ekspertët ndërkombëtarë, por edhe tallje.

Për herë të parë u bë e njohur në janarin e shkuar, kur u prezantua si asistente virtuale në platformën e-albania, si krijim i AKSHI-t dhe një kompanie private.

Diella, asistente e-Albania

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë