Shendet

Diarreja “këput” shqiptarët. Problem, higjiena dhe kultura e mangët shëndetësore

Sëmundjet diarreike vijojnë të jenë problem për shqiptarët dhe shkak për këtë është mungesa e higjienës dhe kultura e mangët shëndetësore. Sipas të dhënave nga një raport i fundit i Institutit të Shëndetit Publik ato përbëjnë rreth 40% të totalit të Sëmundshmërisë Infektive vjetore.

“Në grupin e sëmundjeve diarreike 96,5% e zënë sëmundjet që prekin sistemin tretës dhe infeksionet nga toksinat që marrim nga ushqimet (gastroenteritet e paspecifikuara, pasuar nga toksikoinfeksionet alimentare).

Njëlloj të dëmshme janë edhe sëmundjet që shaktohen nga baktere dhe infeksione të tjera si:

-Salmonelozat jo-tifoide (0,48% e totalit të sëmundjeve diarreike),

-Shigeloza (0.45% e totalit të sëmundjeve diarreike),

-Dizanteria Bacilare (0,003% e totalit të sëmundjeve diarreike)

-Tifo abdominale dhe paratifo (0,003% e totalit të sëmundjeve diarreike).”

Por cilat janë sëmundjet diarreike, që përbëjnë më tepër problem për popullsinë shqiptare dhe çfarë duhet të kenë parasysh njerëzit në lidhje me to?

Sipas të dhënave, bakteret si salmonelozat vijojnë të përbëjnë ende problem në vendin tonë.

Të dhënat tregojnë se Shkodra është rrethi më problematik me numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara me këtë bakter, pasuar nga Dibra dhe Tirana. Rastet më të shumta u përkasin grup-moshave foshnjore dhe fëminore: 0-4 vjeç dhe 5-9 vjeç. Rastet më të mëdha hasen gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht.

Në vitin 2017 incidenca me salmoneloza rezultoi në nivelin 15.25 për 100.000 banorë. Në vitin 2018 Salmonelozat jo-tifoide përbënin 0,48% të totalit të sëmundjeve diarreike.

Shigeloza

Shkodra, Tirana dhe Kukësi përmenden si qytetet ku janë shfaqur rastet më të mëdha të konfirmuara me Shigelozë.

Toksoinfeksionet alimentare

“Incidenca e toksiokoinfeksioneve alimentare në vitin 2017 është 78.53/100.000 banorë.  Ata përbejnë 2.48% të totalit të sëmundjeve diarreike në vitin 2017.

Ndoshta numri i tyre mund të jetë edhe më i lartë por në shumë raste ato në shërbim ambulator diagnostikohen nën emërtimin gastroenterite.”, – vërehet në raportin e botuar, ndërsa shtohet se pikërisht kjo është edhe arsyeja me të cilën shpjegohet fakti pse në vend ka një numër të lartë të tyre.

Incidenca është më e lartë në grup-moshën 0-4 vjeç dhe 5-9 vjeç siç janë edhe në përgjithësi të gjitha sëmundjet diarreike.

Frekuenca e hasjes rritet në qershor, korrik për të arritur kulmin e vet në muajin gusht dhe shtator. Numrin më të madh të rasteve të raportuara e ka Bulqiza, Kukësi, Tirana dhe Berati.

Sipas specialistëve, kjo është një situatë që ndodh çdo vit për faktin se në këto rrethe shpeshherë vendoset kjo diagnozë nga mjeku klinicist për pacientët që kanë qoftë edhe vetëm një episod “diarre pa gjak”.

Gastroenteritet e paspecifikuara

Në grupin e sëmundjeve diarreike rreth 9.5% të tyre e zënë gastroenteritet e paspecifikuara. Sipas specialistëve, incidencën më të lartë e gjejmë në grup-moshën 0-4 vjeç.

Frekuenca e hasjes të gastroenteriteve të paspecifikuara rritet në qershor- korrik për të arritur kulmin e vet në muajin gusht dhe shtator.

Rekomandime

Specialistët e shëndetit publik theksojnë se sëmundjet diarreike mund të parandalohen duke ndjekur një përqasje multisektoriale.

Ata sugjerojnë monitorim të pandërprerë të faktorëve risk të Shëndetit Mjedisor dhe të kontrollit të sigurisë ushqimore.  Sigurimi i furnizimit me ujë̈ të pastër brenda parametrave higjeno-sanitare dhe inspektimi sanitar i produkteve ushqimore dhe kushteve në të cilat realizohet prodhimi dhe tregtimi i tyre janë gjithashtu mjaft të rëndësishme për të shmangur shpërthimin e sëmundjeve diarreike.

 Ata nuk harrojnë të theksojnë se tepër me rëndësi në parandalimin e këtyre sëmundjeve është edhe menaxhimi sanitar i mbetjeve urbane dhe ujërave të zeza; parandalimi dhe kontrolli i shpërthimeve epidemike, si dhe promovimi i edukimit shëndetësor mbi higjienën vetjake dhe komunitare.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sëmundjet infektive shkaktojnë rreth 26% të vdekjeve botërore dhe janë shkaku kryesor i vdekjes së personave më të rinj se 50 vjeç. Malarja, fruthi, sëmundjet diarreike, HIV/AIDS, pneumonia, tuberkulozi janë  sëmundjet kryesore infektive, që prekin njerëzit.   


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë