Atletike

‘Diamond League 2025’ në shifra

Nga Gazeta Si – Nga rekordet botërore dhe fitoret e titujve historikë deri te fondi më i madh i shpërblimeve në histori, sezoni 2025 i “Wanda Diamond League” solli sërish shifra mbresëlënëse dhe momente të paharrueshme në botën e atletikës.

Ishte një tjetër vit i performancave historike dhe statistikave madhështore në serinë elitare të Atletikës botërore, e cila edhe një herë rishkroi librat e historisë së pistës.

Sezoni i 17-të i “Diamond League” theu kufij të rinj si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë financiar, duke forcuar statusin e saj si një nga seritë më të mëdha sportive globale dhe shtyllë kryesore e kalendarit ndërkombëtar të Atletikës.

Nga rekordet botërore në pistë te “revolucioni” i shpërblimeve jashtë saj — këto janë faktet dhe shifrat më të rëndësishme të vitit 2025:

Një seri vërtet globale
Diamond League 2025 përfshiu 15 gara në 13 shtete përtej 4 kontinenteve, duke ofruar spektakël të nivelit botëror për tifozët dhe atletët kudo në botë.

Në total, 1085 atletë morën pjesë këtë sezon, përfaqësues nga 92 vende të ndryshme.

Në garat e meshkujve: 569 atletë nga 77 shtete

Në garat e femrave: 516 atlete nga 66 shtete

32 kampionët e Diamond League vinin nga 18 vende dhe 5 kontinente të ndryshme.

Në total, rreth 400.000 spektatorë ndoqën garat në stadiume në Azi, Afrikë, Europë dhe SHBA, ndërsa eventet u transmetuan në 170 vende.

Rekorde dhe arritje historike
Rekordet janë bërë tashmë pjesë e zakonshme e “Wanda Diamond League” — dhe sezoni 2025 nuk zhgënjeu.

U vendosën 3 rekorde botërore dhe 2 rezultate botërore më të mira, duke vazhduar trendin e viteve të fundit:

Në Eugene, Faith Kipyegon theu rekordin e saj në 1500 metra me kohën 3’48”68.

Bashkëkombësja e saj Beatrice Chebet u bë gruaja e parë që vrapoi 5000 metra nën 14 minuta.

Mondo Duplantis vendosi rekordin e tij të parë Botëror në tokën suedeze, duke kapërcyer 6.28 metra në Stokholm.

Karsten Warholm vendosi 2 kohët më të mira në Botë në 300 metra me pengesa, në Xiamen dhe Oslo.

Në total, u vendosën 43 rezultate më të mira botërore në sezon, teksa atletët përgatiteshin për Kampionatin Botëror të Atletikës në Tokio.

Gjithashtu, librat e historisë së vetë “Diamond League” u pasuruan me 12 rekorde të reja të serisë, përfshirë:

Mykolas Alekna, me 71.70 metra në hedhjen e diskut në Londër
Masai Russell, me 12.19 sekonda në 100 metra me pengesa në Silesia

U thyen gjithashtu 69 rekorde kombëtare dhe 20 rekorde kontinentale, si për shembull rekordi i Oqeanisë prej 2.04 metrash nga Nicola Olyslagers në kërcim së larti gjatë finales në Zyrih.

Rekord shpërblimesh
Viti 2025 shënoi gjithashtu një tjetër arritje historike: fondi më i madh i çmimeve në historinë e “Diamond League”.

Në total, u shpërndanë 9.84 milionë dollarë amerikanë, nga të cilët 2.24 milionë vetëm në finalen e Zyrihut.

Dinasti të reja në pistë
Ky sezon pa edhe vazhdimin e dominimit të disa prej yjeve më të mëdhenj të atletikës:

Noah Lyles fitoi titullin e 6 në 200 metra, duke u bërë atleti më i suksesshëm në historinë e serisë.

Femke Bol, Mondo Duplantis dhe Valarie Allman fituan trofeun e 5 të “Diamond League”, duke iu afruar rekordit prej 7 titujsh.

Për më tepër, Femke Bol festoi sezonin e saj të 5 pa humbje rradhazi, duke e çuar serinë e saj të fitoreve në 30 gara radhazi në “Diamond League” — një arritje që shënon Epokën e saj të artë në atletikë.

Në përmbledhje, sezoni 2025 i “Wanda Diamond League” u bë dëshmi se Atletika moderne po hyn në një fazë të re — më konkurruese, më fitimprurëse dhe më e ndjekur se kurrë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë