Dosje

“Dhuratë doktorit 500 mijë lekë”, korrupsioni i dy mjekëve të Traumës për operacionin e të plagosurit

Mjekët e Spitalit të Traumës, të arrestuar bashkë më Fatbardh Dylin, të mbijetuarin e përplasjes me armë zjarri në Velipojë, do të qëndrojnë në burg.

Gjykata e Shkodrës ka caktuar këtë të martë masën e sigurisë për mjekun kirurg ortoped, Serdi Memini dhe anestezistin Ervin Sulaj.

Në burg është lënë edhe infermierja nga Shkodra, D.M., ndërkohë ndaj Fatbardh Dylit, babait të të plagosurit, është vendosur “detyrim paraqitje”.

LEXO EDHE:
Operuan nipin e Ferracakëve, arrestohen dy mjekët e Ushtarakut. Ndalohet dhe babai i Elmilid Dylit

Arrestimi i tyre u bë pasi dyshohet se kanë marrë para nga babai i Elmilind Dylit, i cili mbeti i plagosur në masakrën e Velipojës 10 ditë më parë. Nga kontrollet policore, mjekëve iu gjetën 377 mijë lekë të rinj dhe 55 euro.

Hetimet nisën nga Policia e Shkodrës që po hetonte ngjarjen e Velipojës dhe më pas u shtrinë deri në prangosjen e bluzave të bardha që akuzohen për “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.

Nga përgjimet, rezulton se ka qenë bashkëshortja e Fatbardh Dylit, ajo e cila ka zhvilluar një bisedë telefonike me infermieren në Shkodër, D.M., duke i thënë asaj se do t’i çojnë dhuratë 500 mijë lekë të vjetra doktorit, por pa përmendur emrat e tyre. Infermierja, një e njohur e familjes Dyli, e ka mbështetur në atë bisedë duke i thënë se “është mirë t’ia dërgosh dhuratën”.

Mjeku Ervin Sulaj, i cili ka qenë i pranishëm në sallë, ka mohuar të ketë lidhje me ryshfetin, duke thënë se ai dhe kolegu i tij janë marrë vetëm me operacionin e të plagosurit Elmidin Dyli.

Ndërkohë, mjeku tjetër kirurg, Serdi Memini, ka munguar në seancë për shkak se është i shtruar në spital në Tiranë dhe nuk është në gjendje shëndetësore të mirë, ndërsa është përfaqësuar nga avokati i tij.

Gjykata e shkallës së parë në Shkodër rrëzoi gjithashtu edhe kërkesën e prokurorisë që kjo dosje t’i kalojë SPAK për hetim të mëtejshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë