Gazeta Si – Dy persona janë vënë nën hetim nga policia, pasi akuzohen se një ditë më parë kanë dhunuar ish-shefin e Komisariatit në Dibër, Robert Aga.
Policia bën me dije se janë proceduar në gjendje të lirë B.A., 30 vjeç dhe R.M., 40 vjeç, banues në Dibër.
Burime paraprake bëjnë me dije se Aga është goditur për shkak të detyrës që ka mbajtur si ish-shef i qarkullimit rrugor, pasi ky i fundit i kishte gjobitur.
Ngjarja u shënua mesditën e 17 nëntorit në qytetin e Peshkopisë.
Sipas policisë, këta shtetas, rreth orës 12.00, në qytetin e Peshkopisë, për motive të dobëta kanë goditur me grusht 54-vjeçarin Robert Aga.
Ndaj shtetasve të dyshuar u referuan materialet për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”.
Robert Aga rezulton të jetë dhe pjesë e dosjes nr 184 që flet për blerjen e votave në qarkun e Dibrës, nga ana e zyrtarëve të Partisë Socialiste.
Aga ka qenë një prej personave që në audio përgjime flet me deputetin socialist, Damian Gjiknuri, ish ministrin Saimir Tahiri dhe ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manjan, të cilëve u kërkoi një pozicion më të mirë pune si shpërblim i ndihmës së tij në zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Dibrës.
Në janar të 2020, vëllai i tij, Pajtim Aga u arrestua nga policia si i përfshirë në trafikun e kanabisit, ndërsa u lirua muaj më vonë duke i zëvendësuar masën e sigurisë nga arrest me burg, në arrest shtëpiak.
Arrestimi i Pajtim Agës solli edhe shkarkimin e Robert Agës nga posti i shefit të Qarkullimit Rrugor. Sipas policisë të arrestuarit, trafikonin kanabis në formë çokollate nga Greqia në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




