Drejtësia

Dhunuan familjen Kaçi në Hamallaj, burg për ish-gardistin Martin Nikolli dhe vëllain e tij

Gazeta Si - Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-gardistin Martin Nikolli dhe të vëllanë e tij, Alfred Nikolli, 46 vjeç pas konfliktit të dhunshëm me familjen Kaçi në Hamallaj të Durrësit.

Ata akuzohen për tre vepra penale, “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Menjëherë pas ngjarjes, ministri i Brendshëm Taulant Balla, njoftoi shkarkimin nga detyra të punonjësit të gardës.

Martin Nikolli, paraditen e të dielës së kaluar, u përfshi në një konflikt të dhunshëm për motive pronësie dhe dëmtoi me sende të forta disa persona duke përdorur dhe armën e shërbimit gjatë kohës që nuk ishte në detyrë.

Oficeri shërbente dhe si shofer zëvendësues i kryetares së Parlamentit, Lindita Nikolla, e cila në një reagim zyrtar kërkon zbardhjen e ngjarjes.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen "Hidrovor" rreth orës 11:30. Pas dhunës fizike, Martin Nikolli, anëtar i njërës prej familjeve në konflikt dhe njëherazi punonjësi i Gardës ka qëlluar më shumë se një herë në ajër me armën e shërbimit, por fatmirësisht nga të shtënat nuk është lënduar askush.

Konflikti mes dy familjeve ka nisur prej disa muajsh për një rrugë që kalon pranë familjes Kaçi. Sipas informacioneve, sherri ka nisur për një shikim, “pse sheh nga shtëpia jonë?”, që pjesëtarë të familjes Nikolli i kanë thënë Pjetër Kaçit. Përveç armës së shërbimit, në sherr janë përdorur dhe shkopinj bejzbolli.

Ndërkohë, Gjykata e Durrësit lëshoi të martën urdhër-mbrojtjeje për Pjetër Kaçin dhe djemtë e tij, pas konfliktit që ata patën të dielën me gardistin Nikolli dhe familjen e tij në Hamallaj.

78-vjeçari Pjetër Kaçi ka kërkuar mbrojtje pasi, sipas tij, vijojnë tensionet mes dy familjeve


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë