Rend dhe Ligj

Dhunuan brutalisht një blogere në mes të lokalit në Tiranë, shpallet në kërkim Antonela Berisha dhe motra e saj

Gazeta Si – Pas denoncimit të blogeres Klea Prenga, e cila akuzoi publikisht në rrjetet sociale Antonela Berishën dhe Mariela Berishën se janë përgjegjëse për dhunimin brutal të saj, teksa ka qenë duke konsumuar darkën në një restorant, Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim dy motrat, të akuzuara për plagosje të rëndë me dashje.

Sipas policisë, ato akuzohen se në bashkëpunim me njëra-tjetrën, në ambientet e një lokali në Tiranë, dyshohet se kanë goditur me shishe qelqi në fytyrë 24-vjeçaren, duke i shkaktuar asaj dëmtime të mëdha.

Ka qenë e reja që ka postuar edhe fotot pas sulmit, ku shfaqet e mbuluar në gjak ndërsa ka një çarje të madhe në njërën prej faqeve.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe po punojnë për lokalizimin e shtetaseve A. B., 28 vjeçe, dhe M. B., 28 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 88/25 i Kodit Penal. Këto dy shtetase, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, në ambientet e një lokali në Tiranë, dyshohet se kanë goditur me shishe qelqi në fytyrë shtetasen K. P., 24 vjeçe. Materialet i kaluan Prokurorisë”, – sqaron policia.

Denoncimi

Një ditë më parë, blogerja e dhunuar brutalisht, ka publikuar në rrjetet sociale fotografitë ku shfaqet e prerë në fytyrë dhe e mbuluar në gjak ku ka treguar edhe si ka rrjedhur ngjarja.

E reja shkruan se mbrëmjen e së martës, rreth orës 21:30 po darkonte në një restorant në Tiranë kur dikush i është afruar papritur dhe e ka goditur me gotë në fytyrë.

Siç shkruhet në një nga mesazhet që ajo ka përfshirë në postim, sulmi ka qenë i porositur nga motra e Antonelës, Mariela.

Klea Prenga thotë se dhuna ndaj saj ka ardhur pasi sipas dy vajzave, ajo ka pasur një lidhje me bashkëshortin e Mariela Berishës.

Në shkrimin e saj, denoncuesja qartëson se pamjet filmike dhe çdo material tjetër janë dorëzuar në polici për hetim. Antonela Berisha njihet për pjesëmarrjen e saj në “Big Brother VIP” dhe paraqitje të tjera në televizion.

Postimi i blogeres

“Sulmi u krye nga Mariela Berisha dhe Antonela Berisha. As ato dhe askush tjetër nuk mund ta shkatërrojë fytyrën dhe imazhin tim.

Më vjen keq për to, sepse e tyrja është e shkatërruar me kohë. Nga anët tona as hasmi nuk goditet duke ngrënë. Po të ishe aq gangstere sa të duket vetja, do më kishe ardhur përballë.

Sa për mesazhin kërcënues që ke dërguar pasi ke kryer sulmin. Mua nuk ma prishin dot imazhin fundërrina si ju qe ju njeh e gjithë Shqipëria. Ti nuk ke familje vajzë e dashur që të të hyet në mes. Ti del e tregon përralla nëpër media për jetën tënde”, – shkruan Klea Prenga.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë