Rend dhe Ligj

Dhunon policin pasi i vuri gjobë, shpallet në kërkim shkodrani

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Shkodrës një ditë më parë. Një efektiv i policisë rrugore është dhunuar nga një person në Shkodër.

Shtetasi i identifikuar nga policia si Indrit Shtegu ka rrahur punonjësin e policisë, Hysni Idrizi.

Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit të Shkodrës në lagjen “Parrucë” në orët e pasdites.

Shtegu, i cili është shpallur në kërkim ka parkuar në kundërvajtje mjetin triçikël në lagjen ‘Parrucë’ duke e vendosur në një parkim dysh.

Në atë moment efektivi Idrizi është gjendur aty dhe i ka vendosur një gjobë drejtuesit për parkim në kundërvajtje.

Pas gjobës të dy janë konfliktuar e më pas Indriti ka filluar të godasë me grushte efektivin duke i shkaktuar plagë.

Ai është dërguar menjëherë në spital ndërkohë që autori është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ndodhet ende në kërkim.

Nga kontakti i policisë me familjarët mësohet se këto të fundit janë shprehur duke i thënë efektivëve se Shtegu ka probleme të shëndetit mendor megjithatë kjo mbetet për t’u verifikuar.

Policia vijon kërkimet për arrestimin e Indrit Shtegut, i cili akuzohet për veprën penale “goditje për shkak të detyrës ndaj punonjësit të policisë” si dhe “kundërshtim me forcë i punonjësit të policisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë