Drejtësia

Dhunoi dhe izoloi gruan, burg për Asqeri Mandrin: Më kërkonte të punoja natën! Kamerat i vendosa për ta parë

Gazeta Si – Gjykata e Tiranës, la në burg Asqeri Mandrin, i arrestuar pas kallëzimit nga bashkëshortja për dhunë dhe izolim në banesë.

Mandri ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, ku në dëshminë e tij është shprehur se kamerat i ka “vënë për të parë familjen kur ishte jashtë shtetit”.

“Debate kemi pasur, pasi gruaja më thoshte ik puno natën tek tregu se të del më mirë se puna që po bën. Nuk e kam dhunuar asnjëherë”, ka shtuar i riu.

Mandri ra në prangat e policisë dy ditë më parë, pasi vetë bashkëshortja e tij e kishte denoncuar në polici. Gjatë kontrollit në banesë u gjetën kamera brenda dhe jashtë banesës, madje 3 kamera në çdo dhomë.

Gruaja e tij, nënë e 4 fëmijëve, ka thënë para policisë se ai ka shfaqur shenja xhelozie të theksuara që pas kthimit nga Gjermania dhe se nuk e ka lejuar të shkojë në punë.

Por në një deklaratë tjetër, ajo ka mohuar të jetë dhunuar, duke pranuar se kamerat i kishte vendosur vetë, duke hedhur dyshime mbi kallëzimin ndaj bashkëshortit në polici.

Nga ana tjetër, vjehrra e saj ka hedhur poshtë këto pretendime, duke e akuzuar nusen për tradhti disa herë.

Dyshohet se 34-vjeçari mbante ‘të burgosur’ bashkëshorten në vilën e tyre në Kodër Kamëz. Ai jetonte në Gjermani, por pasi ishte kthyer, dyshohet se e kishte dhunuar fizikisht gruan, në praninë e katër fëmijëve. Kamerat që kishte instaluar në banesë për ta monitoruar 24 orë në 24, kanë fiksuar edhe skenat e dhunës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë