Ka ndodhur

Avokati Sokol Mëngjesi futet në intubim pas dëmtimeve në kokë. Zbulohen fotot dhe emrat e 4 autorëve të identifikuar

Gazeta Si – Katër të rinj, mes tyre dy vëllezër, tashmë të identifikuar dhe shpallur në kërkim nga policia, kanë dhunuar fizikisht Sokol Mëngjesin këtë të mërkurë, një nga avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha, ky i fundit i akuzuar për korrupsion pasiv për aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, në rrugën “Pjetër Bogdani”, pranë kopshtit nr. 31, ndërsa Mëngjesi, 34 vjeç, ndodhet në spital, ku po merr ndihmë mjekësore, pasi ka pësuar dy fraktura në kokë nga goditjet dhe ndodhet në gjendje kritike.

Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim 4 autorët e dyshuar, duke publikuar dhe fotot e tyre. Ata janë Romario Tabaku, Elton Kasaj 33 vjeç dhe vëllezërit Drivald Alia 21 vjeç e Dorian Alia 19 vjeç. Sipas burimeve, Elton Kasaj është kushëri me vëllezërit Alia.

Gjatë orëve të pasdites, ai është futur në intubim për shkak të dëmtimeve në pjesën e kokës dhe avokati Mëngjesi po merr ndihmë nga aparaturat mjekësore për oksigjen. Pritet që gjatë orëve në vijim të ketë një pasqyrim më të saktë të gjendjes së tij shëndetësore.

Avokati Sokol Mëngjesi dhe 4 autorët e shpallur në kërkim

Policia: U godit për shkak të detyrës

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj deklaroi se Mëngjesi është goditur për shkak të detyrës, pasi ai po përfaqësonte ligjërisht një familje, e cila kishte trashëguar një pronë në kryeqytet, por që nuk kishte paguar detyrimet ligjore.

Një nga autorët, Dorian Aliaj, i cili dyshohet se është organizatori, u vetëdorëzua. Vocaj shtoi se policia ka vendosur në dispozicion 20 mijë euro për çdo informacion që do të çojë në kapjen e autorëve të tjerë.

Ndërkohë kamerat e sigurisë në zonë, kanë filmuar 3 persona, të cilët pas ngjarjes janë larguar me një makinë. Policia falë këtyre pamjeve ka mundur të identifikojë një prej agresorëve dhe më pas të tjerët, si dhe mjetin e përdorur.

Nga ajo çfarë kanë filmuar kamerat e sigurisë autorët kanë qenë të pamaskuar, por kanë qenë të veshur me kapele dhe me rroba të zeza.

Nga kamerat e sigurisë duket se autorët i janë afruar Mëngjesit dhe fillimisht e kanë qëlluar me shpulla. Avokati duket se i ka njohur autorët pasi fillimisht komunikon me ta dhe më pas ata e kanë qëlluar edhe me sende të forta.

“Sot, rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, persona ende të paidentifikuar kanë goditur shtetasin Sokol Mëngjesi, me profesion avokat. I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Gjendja e tij shëndetësore është normale”, njoftoi policia.

Avokati Sokol Mëngjesi

Sokol Mëngjesi së fundmi njihet për faktin se së bashku me Genc Gjokutajn formojnë dyshen e mbrojtjes së ish-kryeministrit Sali Berisha, i akuzuar për korrupsion pasiv për aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”.

Po ashtu është angazhuar si ekspert në fushën e ndryshimeve ligjore nga institucione publike, të tilla si Kuvendi i Shqipërisë, Ministria e Drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës.

Prej vitit 2010 ai ka punuar si Profesor në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Tiranës. Prej vitit 2016 mban titullin akademik “Profesor”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë