Gazeta Si – Kujtim Cakrani, avokati i ish-presidentit Ilir Meta në dosjen që hetohet nga SPAK, është dhunuar mesditën e kësaj të diele në një pikë karburanti në Vlorë.
Dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të pozicionit të makinës së avokatit, e cila sipas policisë kishte bllokuar automjetet e tjera.
Vetë Cakrani u shpreh në një deklaratë për mediat se sherri nisi si pasojë e parkimit, me dy persona që e sulmuan dhe njëri prej tyre e goditi me mjet prerës pas koke.
Ai u shpreh se nuk i njeh personat qe e dhunuan dhe nuk i di motivet e ngjarjes. “Më kanë dhunuan dy të rinj që nuk i njihja. Më provokuan dhe më pas më goditën. Nuk mund të them më shumë se nuk di gjë. Ndodhi në hyrje të qytetit, në një karburant. Pasi më provokuan, njëri erdhi nga pas dhe më goditën me mjet prerës, nuk e di me çfarë. Nuk i njihja dy të rinjtë. Kam dëmtime në pjesën e pasme të kokës. Nuk kam konflikte”, – tregoi Cakrani
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30, në rrugën Tranballkanike, ndërsa 55-vjeçari, i njohur si avokat i ish-presidentit Ilir Meta, po furnizonte automjetin me karburant.
Pikërisht në këto momente, Cakrani është përfshirë në një konflikt me dy persona ende të paidentifikuar, ndërsa policia e Vlorës, bën me dije se automjeti me të cilin u larguan të dyshuarit është identifikuar.
“Konflikti, që paraprakisht dyshohet se ka të bëjë me pozicionimin e automjetit në pikën e furnizimit dhe bllokimin e mjeteve të tjera, është përshkallëzuar, dhe dy personat ende të paidentifikuar e kanë goditur fizikisht shtetasin K.C., i cili po merr ndihmë mjekësore në spital. Nga veprimet e para hetimore, është bërë e mundur identifikimi i automjetit me të cilin janë larguar dy shtetasit”, – njofton policia.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



