Ngjarje

Dhunohej për çdo gjë, arratiset sapo e dërgojnë në dyqan të blejë bukë

Ajo s’ka mbushur ende 14 vjeç. E ka lënë shkollën që në klasën e pestë. Është e komunitetit rom. Por, gjithçka ka kaluar është përtej imagjinatës. Ai është 19 vjeç. Nuk është ulur asnjë ditë në bankat e shkollës. Për shkak të kulturës së komunitetit nga vjen i vuri syrin vogëlushes kur ajo nuk i kishte prekur ende të 14-at e përdhunoi për ta marrë për grua dhe kur e bëri të vetën e mori në shtëpi. Aty e mbylli brenda dhe e ktheu në një “skllave” që duhej t’i bindej kujtdo. Deri ditën kur vogëlushja pasi qëndronte urtë e butë dhe u bindej për çdo gjë, ai i tha 50 lekë që të blinte bukë dhe ajo u arratis duke u kthyer te prindërit e saj. Gjithë kjo dramë në jetën e 14-vjeçares është treguar nga vetë ajo në polici, teksa për dore e mbante motra e saj më e madhe  që i kishte kërkuar të shkonin në polici, ndërsa nga ana tjetër tundte kokën në heshtje një psikolog. Vajza tregonte dhunën, thotë një burim zyrtar i gazetës “Si”, pa e kuptuar aspak se ndërkohë se ajo ishte nën moshë dhe gjithçka i kishte ndodhur është një krim. “Histori të tilla fëmijësh që martohen në moshë kaq të vogël dhe që i përkasin komunitetit rom kam ndeshur pa fund”, – tregoi për gazetën “Si” një psikologe e policisë. Akoma më e rëndë është që të dyja palët, edhe i akuzuari edhe viktima mendojnë që diçka e tillë lidhet me traditën për t’u martuar hershëm”.

Burimet e gazetës “Si” pohojnë se i arrestuari i radhës nga policia e kryeqyteti dhe që i përket komunitetit rom është O. T, nën akuzë për marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur dhe dhunë në familje. Ai e quajti 14-vjeçaren bashkëshorten e tij, për të cilën kur ishin “rrëmbyer” prindërit e saj nuk ishin dakord. Por pastaj kishin pranuar. Për të tjerat adoleshenti ka shtuar se njohja e tyre u bë me dijeninë e prindërve kur gruaja e tij e ardhshme ishte vetëm 13 vjeç. Në mesin e muajit dhjetor tregoi në polici i akuzuari ne filluam të jetojmë në një shtëpi, familja ime përbëhet nga mami, babi, dy vëllezërit , motra dhe djali i motrës. 14-vjeçarja dëshmon fillesat e historisë . “Pasi ishim njohur prej disa javësh pra në 2019, ishim në qendër të Tiranës. Ishte ora dy apo tre e natës dhe ndodheshim në sheshin “Nënë Tereza”. Më kërkoi të kryenim marrëdhënie. I thashë nuk dua. Më qëlloi me dërrasë në kokë, pata gjendje të fikëti, më shtyu te stolat blu që gjenden aty dhe aty kreu marrëdhënie me forcë. U mundova të kundërshtoj, por ai kreu marrëdhënie pa dëshirën time. Të nesërmen më kërkoi falje duke më treguar se e bëmë këtë gjë si çdo çift tjetër. Pas një jave u largova tek shtëpia e tij”, dëshmon 14-vjeçarja në polici.

Pas kësaj për vajzën nisin peripecitë e tjera. Dhunë e përditshme. Urdhra të pambarimta prej tij. Dhe kërkesa që ajo mos ta ngrinte zërin.. “Arsyet pse më rrihte ishin të përditshme, përditë nga një shkak. E ëma e pyeste shpesh pse e godet, por O. T përgjigjej nuk ka ç’të duhet ty. Ditën e parafundit kur ai më dhunoi, mami i tij më kishte thirrur për të larë tapetet. Unë nuk e kisha dëgjuar. Erdhi O. më kapi për krahu. Mbylli derën dhe filloi të më rrahë. Gjatë kësaj kohe mendoja përditë si do largohem, doja të kthehesha te prindërit e mi. Por kisha frikë prej tij. Ai nuk më linte asnjëherë vetëm. Fillova të mendoj si do i shpëtoj. Më dhanë 500 lekë, më thanë ec e ble bukë te dyqani i lagjes. Sapo dola, u afrova te dyqani dhe fillova të vrapoj. U ktheva te prindërit”.

Policia thotë për gazetën “Si” se 14-vjeçarja kishte vendosur mos t’u tregonte prindërve. Por, e motra, e cila e ka parë vogëlushen duke u larë dhe ka vërejtur frakturat dhe shenjat e zeza në trupin e saj është alarmuar. Kur motra e ka pyetur çfarë ishin ato shenja të zeza, 14-vjeçarja ka shpërthyer në lot dhe është lutur “mos më ktheni më atje, nuk duroja më dot”. Sipas burimit të policisë, e motra pasi e ka dëgjuar të gjithë rrëfimin e vajzës, e ka marrë në krahë dhe i është lutur “ne do shkojmë bashkë në polici, këtë që më tregove do ua thuash edhe policëve”. Pas këqyrjes së trupit të 14-vjeçares ku edhe janë shënuar frakturat si dëshmi e dhunës, policia ka arrestuar menjëherë 19-vjeçarin, i cili vazhdon ta quajë vajzën “gruaja ime”.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë