Gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Vlorës ka arrestuar 3 persona për vepra të ndryshme penale.
Sipas policisë, arrestimi i tyre është kryer pasi ushtronin dhunë në familje, drejtonin makinën pa dokumentacionin përkatës si dhe kultivonin lëndë narkotike të llojit kanabis.
Policia bën me dije se është vënë në pranga shtetasi M. F., 30 vjeç, banues në fshatin Çeprat, për “Prodhim dhe shitje narkotikësh”. 30-vjeçari është kapur në fshatin Llakatund të Vlorës, pasi nga kontrolli i ushtruar në automjetin e tij, iu gjet e fshehur një sasi lënde narkotike prej 220 gramë.
Po ashtu është ndaluar shtetasi i shpallur në kërkim Gj. E., 38 vjeç, banues në Vlorë për veprën penale “Dhunë në familje” për të cilën Gjykata e ka dënuar me 1 vit burgim.
Ndërkohë arrestohet në flagrancë për “Drejtimin e automjetit në mënyrë të parregullt” shtetasi D. P., 37 vjeç, banues në Vlorë.
Siç njofton policia, arrestimi i tij u bë në aksin rrugor “Pavarësia” pasi u kap duke drejtuar mjetin motor pa targa dhe pa leje drejtimi përkatës. Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të secilit për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.