Politike

Dhuna për guroren, jep dorëheqjen deputeti i PS-së, Rrahman Rraja: Largohem nga jeta politike (vendimi pas publikimit të videos)

Vetëm pas publikimit të videos së rëndë ku pjesëtarë të fisit të tij përfshi djalin dhe dy vëllezërit që rrahin barbarisht dy anëtarë të një fisi tjetër (Maja), deputeti i PS-së, Rrahman Rraja ka dhënë dorëheqjen.

Dorëheqja e tij u bë publike edhe pas takimit mbi 5 orë që ministri i Brendshëm Blendi Çuçi zhvilloi me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë.

Njoftimi u shpërnda nga zyra e shtypit e PS-së ndërsa në faqen zyrtare të deputetit në Facebook nuk kishte asnjë njoftim të tillë.    

"Nuk kam fjalë për ta shprehur sikletin karshi të gjithë atyre që më kanë besuar gjithë këto vite. Fatkeqësisht unë dështova si prind dhe ndjehem i turpëruar publikisht nga fëmija im. Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegëve te grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe tërheqjen time nga jeta politike. Ju kërkoj ndjesë atyre që më kanë dhënë votën prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet. Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time. I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë. Zoti më dhëntë forcë që ta përballoj këtë dhimbje të madhe dhe jetë që ta shlyej këtë turp që më la mbi shpatulla si gur im bir. Në fund mirënjohje dhe ndjesë edhe kryetarit të partisë dhe kryeministrit, i cili nuk më kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktova", njoftoi deputeti i PS.

Deri tani ka shkuar në  8 numri i personave të shoqëruar dhe ndaluar në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 6 korrik 2023, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, dhe shkon në 6 numri i shtetasve të shpallur në kërkim. Ndër ta edhe djali dhe dy vëllezërit e deputetit.

Policia e Shtetit i bëri thirrje shtetasve Xhelal Rraja dhe Rexhep Rraja, vëllait dhe djalit të deputetit të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kriminale të dorëzohenr sa më parë bashkë me personat e tjerë të shpallur në kërkim.

Anëtarë të fisit Rraja dhunuan dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, të cilët ishin ankuar se shpërthimet gjatë punimeve në gurore, po u shkatërronin banesat e tyre por dhe të zonës përreth.

Mesditën e 6 korrikut 2023, ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores për ti kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, kur ndaj tyre u ushtrua dhunë.

Gurorja është në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë