Gazeta Si – Adriatik Roshi, 48-vjeçari i cili dyshohet se u dhunua barbarisht nga anëtarë të familjes Koçeku në një berberhane në zonën e Laprakës, në Tiranë ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve.
Ai ka pretenduar se nuk i njihte personat që e kanë dhunuar pasi kanë qenë të maskuar. Sipas tij, ia ka lënë çështjen drejtësisë për t’i identifikuar dhe arrestuar.
Policia ka dyshime se ngjarja lidhet me dhunën e ndodhur verën e kaluar në një lokal në Palasë, por në lidhje me këtë fakt nuk ka dhënë asnjë shpjegim.
Dhuna është filmuar nga kamerat e sigurisë të berberhanes ku ndodhi ngjarja, e ndodhur në rrugën “29 Nëntori”, pranë kryqëzimit tek ish-“Shqiponja” në Laprakë.
Nga pamjet duket se në berberhane futen 4 persona të maskuar dhe të armatosur me shufra hekuri dhe sëpata, teksa dy tjerë kanë qëndruar roje tek dera.
Ata tërheqin zvarrë biznesmenin Adriatik Roshi, i cili ishte duke pritur në radhë dhe pasi e shtrijnë në tokë, fillojnë ta godasin me shufra hekuri, sëpatë dhe sende të tjera.
48-vjeçari Adriatik Rroshi vijon të jetë në Spitalin e Traumës në gjendje stabël por për shkak të dëmtimeve në të gjitha pjesët e trupit mjekët nuk sigurojnë që ai e ka kaluar rrezikun për jetën.
Policia po vijon kontrollet për 4 personat në kërkim midis tyre Tur Koçeku, i cili dyshohet si porositësi i sulmit ndaj Adriatik Rroshit. Policia dyshon se Koçeku është aktualisht në Dubai dhe ka kontaktuar me autoritetet atje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.