Drejtësia

Dhuna ndaj Sokol Mëngjesit/ Dhoma e Avokatisë, tre ditë bojkot seancave gjyqësore, Haxhia: Mos na trajtoni si avokat të kriminelëve   

Dhoma Kombëtare e Avokatisë zhvilloi një mbledhje me dyer të mbyllura pas dhunimit të avokatit Sokol Mëngjesi, mbledhje pas së cilës u vendos që avokatët të bojkotojnë për 3 ditë seancat gjyqësore në mbarë vendin.

Pak para nisjes së mbledhjes, kryetari Maks Haxhia dha një deklaratë për mediat.

“Të nderuar kolegë dua t’ju informoj së pari në lidhje me gjendjen shëndetësore të kolegut tonë. Dje është çuar me një avion ambulancë në Greqi në një klinikë të specializuar në Greqi. Me të mbërritur u informova që parametrat shëndetësore i ka në kuotat e mira shëndetësore. Natyrisht trajtimi do të vazhdojë pasi duhen ditë që ai të bëhet gati për t’u zgjuar nga koma artificiale, për shkak të dëmtimeve që ka në sistemit nervor dhe kryesisht në endemat, të cilat janë shumë të rrezikshme në jetën e njeriut kur pëson trauma të tilla...”, tha Haxhia.

Më tej ai vuri në dukje. “Bëj me dije që nëpërmjet këtij rasti ne kemi mbledhur dhe përcjellë me shqetësim qëndrimet denigruese që ia janë bërë avokatëve. Do iu bëj me dije se një qëndrim i tillë është mbajtur edhe me kolegët tanë në Durrës, të cilët i kanë pozicionuar në ambiente fare të papërshtatshme për të ushtruar profesionin. Përgëzoj Dhomën e Durrësit për vendimmarrjen. Patëm një takim me Kryetaren e Dhomës Durrës dhe kryetarin e Gjykatës së Durrësit, i cili pranoi se situata nuk ishte fare e përshtatshme me atë urdhër, na u tha që do ta revokonte urdhrin. S’kemi qëllim të hapim luftë, por të krijojmë kushte optimale, serioze dhe reputacioni i avokatëve të vlerësohet nga të gjithë”, tha Haxhia në deklaratën për mediat.

Haxhia i bëri thirrje edhe politikës që të heqë dorë nga tipizimi i avokatëve, si avokatë të kriminelëve.

“Reforma në drejtësi paraqiti një sërë problemesh. Reforma nuk është ajo që kemi dashur dhe prisnim të shihnin, për të realizuar drejtësi të pandashme, jo drejtësi diskriminuese veçanërisht ndaj avokatëve. I bëj thirrje politikës të heqë dorë nga tipizimi i avokatëve, si avokatë të kriminelëve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë