Drejtësia

Dhuna ndaj Sokol Mëngjesit, Dhoma e Avokatisë: Të zbardhet ngjarja sa më shpejt! Nuk është rast i izoluar

Gazeta Si- Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka dënuar sulmin me sende të forta ndaj avokatit Sokol Mëngjesi në Tiranë, teksa dërgonte fëmijën në kopsht.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Dhoma dënon ashpër dhunën duke evidentuar se ky nuk është rasti i parë që sulmohen fizikisht apo psikologjikisht avokatët në Shqipëri.

Dhoma kombëtare e Avokatisë i ka bërë thirrje autoriteteve të zbardhin ngjarjen në një kohë sa më të shkurtër, ndërsa ka shtuar se janë besimplotë që reagimi do të jetë kambanë alarmi për organet ligjzbatuese.

“Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë shpreh shqetësimin e thellë lidhur me dhunën e rëndë fizike të ushtruar mëngjesin e ditës së sotme ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, anëtar i Dhomës së Avokatisë së Tiranës. Avokati është goditur disa here në kokë me levë dhe për shkak të plagëve të marra është shtruar në spital.

Ky nuk është rast i izoluar i ushtrimit të dhunës fizike dhe psikologjike ndaj avokatëve në Shqipëri, duke rikujtuar aktin e fundit të paprecedentë të dhunës fizike dhe psikologjike ndaj një avokati në Dhomën e Avokatisë Lezhë, në muajin prill të këtij viti. Kërcënimi i avokatëve, sidomos për shkaqe që lidhen me ushtrimin e detyrës, jo vetëm cenojnë rëndë misionin e avokatit në ushtrim të profesionit të tij, por krijojnë situata të vështira që duhen të vlerësohen maksimalisht.

Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë i kërkon autoriteteve zyrtare të kryejnë një hetim të plotë dhe të pavarur brenda një kohe sa më të shkurtër lidhur këtë ngjarje të rëndë.

Njëkohësisht, garantojmë të gjithë avokatët në Republikën e Shqipërisë se Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë, do të jetë në krah të çdo avokati, ndaj të cilit ushtrohet dhunë e çfarëdo lloji nga kushdo qoftë, pavarësisht se nga kush dirigjohet dhuna.

Shprehemi besimplotë se reagimi ynë do të shërbejë si kambanë alarmi për organet ligjzbatuese, jo vetëm për këtë rast, por edhe për raste të tjera që cenojnë sigurinë e jetës së avokatëve dhe të familjeve të tyre”, – thuhet në deklaratën për mediat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë