Nga Gazeta Si- “Shqiptarët kanë mësuar diçka shumë të rëndësishme, që të mos firmosin pa lexuar çdo gjë që është shkruar në dokument”. Këtë beson se u ka mësuar njerëzve ndër vite Eni Çobani, juristja dhe ndërmjetësuesja e njohur.
“Këtë njerëzit e bënin me sy mbyllur më parë dhe vinin pas ca vitesh dhe më thonin që kanë probleme pikërisht për shkak të kësaj. Mund të them se është diçka që u kam mësuar të gjithë atyre që më kanë ndjekur”, thotë Çobani në podkastin “T’pa Thana” në Gazetasi.al.
E pyetur nëse rastet që trajton tregojnë realitetin shqiptar, Çobani thotë se fatkeqësisht po.
“Unë e them shpesh në dhimbje se ky është një realitet për të cilin vërtetë shqiptarët vuajnë. Ne në Shqipëri kemi probleme të paimagjinueshme, probleme familjare kryesisht, ku kryefjala janë konfliktet bashkëshortore…
Çobani tregon se rastet më të rënda që ka trajtuar ndër vite janë rastet ku përfshihen gratë.
“Ka pasur raste që kam thënë ku jetojmë kështu. Dhuna ndaj gruas është shumë e madhe në Shqipëri ku edhe pse kemi pritur që të ulet, sot është bërë më e rëndë. Rastet e kësaj natyre janë shumë dhe janë të rënda”, tha Çobani e cila ‘fajtor’ bën ligjin.
“Duhet një ndërhyrje për ligjin mbi dhunën në familje. Ne vërtetë e kemi bërë një ligj dhe kemi urdhrin e mbrojtjes por ai urdhër mbrojtje nuk ka qenë efektiv. Njerëzit nuk përmbahen ndaj kësaj dhe kjo eksperiencë ne na ka dështuar”, thotë juristja e cila gjithashtu tregon se ndoshta, gjithë dhuna që ndodh sot, është pasojë e mungesës së analizës para se të hiqej dënimi me vdekje.
“Në vitin ‘98 është bërë një kapërcim shumë i madh në kodin penal ku u zëvendësua dënimi me vdekje. Dënimi me vdekje ka qenë një nga momentet të cilat shoqëria shqiptare, sistemi i drejtësisë dhe politika nuk bëri një analizë të thellë për pasojat e heqjes së tij, nëse do e zbuste situatën apo do sillte agresivitet”.
Çobani thotë se dënimi me vdekje mund të ishte një nga elementet që duhej të ishte lënë pak në kohë, edhe pse sillte problematika tek ndërkombëtarët.
Duhej të ishte bërë një analizë më e thellë, të studiohej se çfarë sjell heqja dhe mbajtja e tij, thotë Çobani e cila tregon se sipas saj, të heqësh këtë nen në atë periudhë ishte shumë e përshpejtuar.
Çfarë do sillte mbajtja e atij ligji dhe për disa vite?
“Asnjë ligj apo nen nuk e frenon deri në limite të keqen por ama e parandalon. Njeriu thotë se nëse unë vras, më vret ligji. Nëse ai di këtë, deri diku edhe e frenon veten”.
Problemet me firmat dhe kontratat nga çfarë vijnë?
“Unë bëj një analizë duke qenë se një pjesë të jetës e kam kaluar në diktaturë dhe bëj një krahasim. Kam parë që në shumë element në të cilët i hasim sot, nuk ishim të edukuar në atë periudhë. Në komunizëm ne u zhveshëm nga prona, u hoq dëshira për të pasur një pronë. Kishim një formë të jetuari brenda një sistemi. Më pas ne bëmë një kalim shumë të dhunshëm dhe që atëherë ne vazhdojmë me ato pasoja. U bëmë me prona pa pas të drejtën për të pasur një pronë. U përmbys procesi i pronës, morën prona njerëzit që as nuk e kishin menduar se do kishin një pronë”, shpjegon Çobani e cila thotë me tej se e gjitha kjo solli një disnivel të madh në shoqëri, çka rezultoi më pas edhe në problematikat që kanë qytetarët që u drejtohen gjykatave.
Martesa mes dy vajzave lezbike në taracën e Tiranës, veprim kundra ligjit
Çobani foli edhe për martesën e dy vajzave lezbike në tarracën e Tiranës disa muaj më parë.
Juristja thotë se të shkosh drejt diçkaje antiligjore me ndërgjegje, duke e ditur se nuk është ligjore si dhe duke përfshirë një institucion siç është Bashkia e Tiranës, “është një fuqi dhe një kurajo e jashtëzakonshme”.
Gjithashtu, juristja thotë se një institucion nuk duhet të bëhet pjesë e një organizimi që është kundra ligjit.
“Asgjë antiligjore nuk mund të bëhet ligjore pse do dikush. Ligji është për të gjithë dhe ne jemi të detyruar ta zbatojmë. Përfshirja e institucionit mua më shqetëson”, përfundon Çobani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.