Ngjarje

Dhuna ndaj fëmijëve, Hazizaj: Në zonat rurale ka më shumë raste por mungojnë shërbimet falas nga shteti

Në Shqipëri dhuna ndaj fëmijëve vijon të mbetet problematike dhe ekspertët gjykojnë se tashmë raste të shumta po raportohen edhe në zonat rurale.

Në një intervistë për gazetën “SI”, drejtori I qendrës kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, CRCA, Altin Hazizaj, thotë se të gjitha studimet sa I takon dhunës ndaj fëmijëve që prej vitit 2006, tregojnë se në zonat rurale me përqëndrim më të madh  të popullsisë, dhuna është më prezente.

Hazizaj thotë se niveli më I lartë i dhunës ndaj fëmijëve vërehet dhe në zonat e përjashtuara nga investimet kryesisht mirëqënies së familjes, kujdesit të fëmijëve, mungesë të shërbimeve shoqërore apo ku ka dhe nivel papunësie e varfërie.

Për këtë ai fajëson qeverinë e cila sot nuk ofron asnjë shërbim në asnjë bashki të vendit për fëmijët e dhunuar.

 “Sot mbi 80 përqind e shërbimeve që marrin fëmijët financohen nga donatorë të huaj dhe është e papranueshme për një vend që nuk investon në shërbime sociale të paguara nga shteti sepse e ka për detyrë shteti dhe bashkitë të paguajnë për këto shërbime. Ne jemi të varur nga financimet e huaja, nëse ata nuk japin fëmijët nuk marrin shërbime. Shteti refuzon ende të harxhojë para dhe të  investojë për shërbime sociale falas për fëmijët në nevojë”, thotë Hazizaj.

Hazizaj e konsideron këtë fakt një shkelje masive të të drejtave të fëmijëve në Shqipëri pasi sipas tij, nga njëra anë pretendohet se bashkitë  anembanë vendit ofrojnë shërbime për fëmijët, sidomos ata të prekur nga dhuna e nga ana tjetër kjo nuk është aspak e vërtetë.

“Sot asnjë bashki nuk ofron dhe një shërbim të vetëm për fëmijët që janë viktima të dhunës seksuale, ekzistojnë vetëm njësitë e mbrojtjes së fëmijëve por roli I tyre është vetëm raportimi i për rastet e dhunës”, thotë drejtori i CRCA Altin Hazizaj.

Sa i takon studimeve më të fundit globale, Hazizaj nënvizon studimin e mbështetur nga BE dhe I kryer më 9 vendet e Ballkanit në të cilën thuhet se  pavarëissht se fëmijët në zonat rurale janë më të sjellshëm në familje, ata janë më të ekspozuar ndaj dhunës fizike e emocionale në raport me fëmijët në zonat urbane.

“Ndërkohë që në zonat urbane, fëmijët janë gjithmonë të ekspozuar ndaj dhunës në zonat ku ka mungesë vëmendje, ka mungesë serioze të qeverisjes dhe investimeve e natyrisht dhe të shërbimeve shoqërore”, thotë Hazizaj.

Sipas drejtorit të CRCA, Altin Hazizaj thotë se në shifra absolute, edhe sepse qëndrojnë më shumë në familje, dhuna ndaj fëmijëve raportohet më shumë në familje sesa në shkollë.

Hazizaj thotë se nisur nga 4 studime serioze mbi dhunën ndaj fëmijëve të publikuara, tregojnë një diferencë 5-10 përqind midis dhunës në familje dhe në shkollë.

“1 në 2 fëmijë ose 50 përqind e fëmijeve raportojnë për dhunë fizike në familje. Ndërsa kjo perqindje është nën 40 përqind në shkollë. Janë dy moment për tu kuptuar. Duhet kuptuar që dhuna nuk duhet të jetë e pranishme në shkollë. Nuk po flasim për bullizmin pra dhunën e fëmijëve ndaj njëri-tjetrit por dhuna e mësuesve ndaj fëmijëve. Pra është një dhunë institucionale dhe është një peshë jo e njëjtë si ajo në familje sepse personi që ushtron atë është I veshur me petkun e institucionit shtetëror dhe që ka mission të edukojë fëmijën”, thotë Hazizaj.

Ndërsa sa i takon dhunës në familje, sipas Hazizaj, në fund të ditës për fëmijët familja mbetet mburoja mbrojtëse. Ndaj ndonjëherë fëmijët e pranojnë në heshtje këtë dhunë të nënës apo babait ndryshe nga ajo në shkollë.

Ai ka bërë thirrje për mësuesit që të mos jenë neglizhentë në rastet e abuzimit seksual në shkollë por të intensifikojnë bashkëpunimin me prindërit duke sinjalizuar më parë ata për cdo dyshim të kësaj dhune.

Edhe raporti i UNICEF I publikuar në qershor të vitit të kaluar tregoi të njëjtin shqetësim të ngritur nga ekspertët në fushën e të drejtave të fëmijëve.

Sipas raportit, ppengesa më e madhe në praktikë për realizimin e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri është refuzimi i vazhdueshëm i qeverisë për të investuar në shërbimet për fëmijët. Për vite me radhë, qeveritë kanë nënfinancuar shëndetësinë, arsimin, mbrojtjen dhe mirëqenien, duke arritur një nivel nën atë të shteteve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), Bashkimit Evropian, si dhe shteteve të tjera në rajon.

“Kjo prirje është vëzhguar edhe pas rritjes së Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe pasi Shqipëria mori statusin e një vendi me të ardhura mbi mesataren. Në mënyrë të pashmangshme, kjo mungesë ka shkatërruar infrastrukturën, ka penguar novacionin, ka ulur standardet e cilësisë, ka nxitur korrupsionin në nivele të ulëta të shërbimit dhe ka ulur gjithnjë e më shumë përshtatshmërinë e shërbimeve me qëllimin përkatës. Me shumë gjasë, vitet e ardhshme do të jenë mjaft të vështira për fëmijët dhe familjet, pasi vendi po përballet me një rënie të pritshme të PBB-së, si rrjedhojë e pandemisë botërore. Ka gjasa që shërbimet për fëmijët, të cilat nuk janë në standardet e duhura, të kenë vështirësi për të reaguar”, thuhet ndër të tjera në raportin e UNICEF të vitit të kaluar për situatën e fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë