Lajme

Dhuna ndaj banorëve te Bregu i Lumit, Balliu dorëzon provat në Prokurori

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka dorëzuar sot në Prokurorinë e Tiranës prova për aktet e paligjshme sipas tij të policisë ndaj banorëve të Bregut të Lumit gjatë aksionit për prishjen e banesave.
Në një prononcim të shkurtër për mediat, Balliu tha se ka depozituar prova rreth dhunës së policisë ndaj një 20-vjeçareje. Ai theksoi se shefi i komisaritatit që dhunoi vajzën, vazhdon akoma punë.
“Shpresojmë që prokuroria të bëjë punën që duhet të bëjë. Por është e çuditshme që çdo hetim që ka lidhje me Rilindjen mbyllet. Sot, vazhdon akoma në punë shefi i Komisariatit nr. 4, i cili është filmuar duke dhunuar një 20-vjeçare Manjola Mandri, videon e së cilës e dorëzova sot. Shpresoj të bëjë punën, por nuk kam asnjë besim. Prokuroria dhe policia bashkëpunojnë për të fabrikuar prova konkrete për të arrestuar qytetarët shqiptarë. Prokuroria është kthyer në pastrim kimik për çdo kriminel që ka njolla përdhunuesi, vrasësi apo narkotrafikant”, shprehet ish-deputeti Klevis Balliu.

Aksioni për prishjen e banesave te Bregu i Lumit është shoqëruar me tensione dhe konfrontime fizike. Madje, nga konfrontimet ka pasur dhe banorë të ndaluar nga policia.
Partia Demokratike e ka dënuar ndërhyrjen dhe dhunën e Policisë ndaj banorëve, ndërsa veprimet e tyre i ka cilësuar të papranueshme dhe njëherësh kriminale, pasi sipas saj janë vënë në shënjestër njerëzit e thjeshtë.
Janë 38 banesa në zonën e Bregut të Lumit që janë përjashtuar nga skema e dëmshpërblimit dhe iu është ndërprerë procesi i legalizimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë