Biznes

Dhoma Amerikane e Tregtisë: ‘Paqja fiskale’, hapësirë për të pastruar paratë!

Nga Gazeta ‘SI’ – Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka shprehur kritika për paketën e re fiskale të qeverisë, pak orë para se ajo të miratohet në Kuvend.

Në një deklaratë për mediat, AmCham shpreh shqetësimin se “paqja” e qeverisë me bzineset lë hapësirë për të pastruar para që mund të kenë burimin nga krimi apo aktivitete ilegale.

“Mospërfshirja e mekanizmave të fortë të kontrollit në përputhje me legjislacionin kundër pastrimit të parave dhe përjashtimi i audituesve nga përgjegjësitë për diferencat e krijuara e shtojnë rrezikun që kjo nismë të perceptohet si një formë e tërthortë e amnistisë fiskale. Një zhvillim i tillë cënon besimin e tatimpaguesve në sistemin fiskal dhe dëmton reputacionin ndërkombëtar të vendit, veçanërisht në kuadër të vlerësimeve nga BE dhe Moneyval”, shprehet AmCham, lidhur me nismën që lejon bizneset të korrigjojnë pasqyrat e shkuara financiare, pa penalitet.

Po ashut, Dhoma Amerikane argumenton se projektligji dobëson aftësinë e administratës tatimore për të identifikuar shmangiet dhe krijon një terren të favorshëm për abuzime.

Projektligji nuk ofron kritere të qarta dhe objektive për përzgjedhjen e tatimpaguesve që mund të përfitojnë nga marrëveshja e paqes fiskale (siç mund të ishin vlerësimi i riskut tatimor, performanca historike e deklarimeve etj., për të shmangur përfshirjen e tatimpaguesve, të cilët në mënyrë të përsëritur kanë shmangur taksat).

Lidhur me mundësinë që qeveria i jep bizneseve për të zgjeruar bazën tatimore me një shtesë tatimi 5%, AmCham thotë se nuk ka asnjë logjikë ekonomike dhe mund të reduktojë të ardhurat për buxhetin e shtetti.

“Projektligji nuk shoqërohet me aktet nënligjore që do të mundësonin zbatimin e tij, ndërkohë që parashikohet që këto akte të miratohen tre muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit – një afat që krijon pasiguri të lartë ligjore dhe operacionale.Projektligji dërgon një mesazh të gabuar për komunitetin e biznesit, duke krijuar perceptimin se përputhshmëria vullnetare me ligjet tatimore nuk shpërblehet, ndërsa shmangiet tatimore mund të përfitojnë nga mekanizma të përkohshëm amnistie. Studimet ndërkombëtare kanë treguar qartë se skemat e tilla dëmtojnë rëndë kulturën e përputhshmërisë tatimore në periudhën afatgjatë”, thuhet në deklaratë.

AmCham po ashtu shpreh shqetësim për mungesën e transparencës dhe konsultimit të gjerë publik gjatë hartimit të këtij projektligji (dhe nismave të tjera të paketës fiskale 2026).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë