Kryetari i Dhomës së Tregtisë Amerikanë në Shqipëri, Enio Jaço ka reaguar për rritjen e çmimit të karburanteve në vendin tonë. Sipas tij, vendimi i qeverisë për të ngritur një Bord Transparence është mekanizëm i pazakontë në tregun e lirë.
“Së fundmi, qeveria ka ngritur Bordin e Transparencës për mbikëqyrjen e çmimeve, një mekanizëm i pazakontë (jo në raste krizash) në funksionimin e rregullave të tregut të lirë.
Çmimi i karburantit në Shqipëri ka qenë gjithmonë i lartë. Në fakt, Shqipëria radhitet ndër vendet më të larta në botë për çmimin e karburanteve në raport me të ardhurat mesatare.
Shkak i kësaj situate kanë qenë politikat e cunguara mbi rregullat e tregut të lirë, funksionimin e çmimeve dhe sistemin e taksave etj. Pikërisht në këtë moment, duhet vlerësuar niveli i konkurreshmërisë së tregut – nëse çmimet jane më të lartat në botë për të ardhura popullsie atëherë diçka nuk shkon me nivelin e konkurrencës. Taksat mund të adresohen me politika të përkohshme lehtësuese ndërsa konkurrenca duhet të rritet ndjeshëm në mënyrë që të prevalojnë presionet mbi uljen e çmimeve.
Por menaxhimi i çmimeve është detyrë e sektorit privat dhe jo e qeverisë. Qeveria do e ketë të pamundur t’i menaxhojë suksesshëm këtë proces, sepse është tepër kompleks dhe nuk i ka mjetet e duhura për ta bërë. Koha dhe historia globale ka treguar që vetëm tregu i lirë dhe konkurrent krijon çmimet më të mira për konsumatorin. Qeveria mund të përmirësojë kushtet për funksionimin e duhur të tregut, por ndërhyrja në rregullimin e çmimeve lë vend për arbitraritet, dhe krijon premisa të gabuara për lirinë e tregut”, thekson Jaço.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




