Sot është 8 Dhjetori. 28 vite më parë studentët e asaj kohe nisën pikërisht në këtë datë protestat që rrëzuan në muajt pasues regjimin më të egër komunist që kishte parë Europa.
Protesta nisi si bojkotim ndaj mësimit për mungesën e energjisë elektrike dhe kushtet në konvikte e shkolla. Por më vonë, kërkesat kryesore ishin dy, që në thelb përbënin vetëm një; rrëzimin e sistemit me parrullën “Liri, Demokraci”.
Studentët e sotëm nuk kishin lindur ende në ato vite, por kanë të përbashkët me atë brez sheshin. 8 Dhjetori i 28-të i Lëvizjes Studentore u gjen sërish studentët në shesh dhe në një pjesë kërkesat janë të njëjta si ato; përmirësimin e kushteve në konvikte dhe kushteve në universitete, biblioteka e laboratore.

Edi Rama dhe Sali Berisha, 1990 
Protestat e studenteve ne Qytetin Studenti, 1990
Kjo mund të konsiderohet si e përbashkëta mes dy protestave në një diferencë kohore prej 3 dekadash, por ndryshimet janë më të mëdha. Sot studentët nuk kërkojnë “Liri, Demokraci”, pasi atë e kanë, por, megjithë protestës masive vihet re lehtë një përçarje mes tyre. Protesta s’ka organizatorë të qartë dhe as kërkesa të qarta dhe të unifikuara.
Sot, studentët protestues paralajmërojnë vazhdimin e protestës duke i qëndruar zotimit fillestar për të mbajtur larg kësaj lëvizjeje partitë politike. Nga lëvizja “Për Universitetin” u kanë bërë thirrje studentëve që të dalin sërish në protestë, por jo përpara Kryeministrisë, ku pritet që të mblidhen përfaqësues të Partisë Demokratike me rastin e 8 Dhjetorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.








