Marcelo Toledo zakonisht krijon skulptura dhe bizhuteri nga metali. Tani artisti argjentinas po punon me një material të ri: maska dhe shiringa të hedhura në plehra gjatë Covid-19 për të krijuar një ekspozitë për ndikimin e dhimbshëm të virusit.
Toledo, i cili ka bërë bizhuteri për Barack Obama dhe Madonna, ishte ndër të parët në Argjentinë që u infektua me Covid-19 një vit më parë, gjë që e la në spital për tetë ditë me pneumoni.
Përvoja la gjurmë në jetën e tij dhe e shtyu të bënte disa vepra arti. Për ekspozitën e tij të re, “Muzeu i pas-pandemisë”, Toledo po mbledh mbeturinat e ricikluara të koronavirusit të dërguara nga spitale, laboratorë dhe njerëz të rastit. Kjo përfshin vaksinat e vjetra dhe pajisje mjekësore si dhe copat e gazetave në lidhje me pandeminë.
“Unë jam i lumtur që mund të shndërroj dhimbjen në bukuri dhe kjo ekspozitë është pikërisht ajo që duhet, duke kapur gjithçka që po na ndodh si shoqëri”, tha Toledo, 45 vjeç.
Veprat e artit, të cilat do të shfaqen nga shtatori në një hapësirë publike në qendër të Buenos Aires, të gjitha do të bëhen nga “materiale të disponueshme ose mbeturina që më dërgojnë njerëzit”, shumë prej tyre të mbyllura brenda qeseve të mbushura me vakum.
“Është hera e parë që bëj një ekspozitë në të cilën nuk kam pse të blej ndonjë nga elementët. E gjitha do të mbyllet ose do të futet në qese pasi ideja është që gjithçka të mund të ruhet me kalimin e kohës”, thotë ai.
Në ekspozitë do të ketë një anije të vërtetë që simbolikisht kalon një “stuhi” dhe “ishujt e riciklimit” për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me rëndësinë e kujdesit për mjedisin.
“Ekspozita do të tregojë historinë e kësaj anijeje, e cila është një metaforë e madhe për atë që po ndodh me ne. Kjo pandemi, është një stuhi e madhe globale”, tha Toledo.
Ai më parë ka krijuar një maskë gjigande e cila tërhoqi vëmendje në SHBA apo Japoni dhe këtë dëshiron të bëjë dhe me ekspozitat e tjera.\Reuters\
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)








