Gazeta Si - Shtatë orë pasi dyshohet se vrau me armë zjarri 3 gra dhe plagosi 3 të tjera këtë të mërkurë në Tiranë, Dan Hutra është arrestuar nga policia.
Burime paraprake bëjnë të ditur se 40-vjeçari është kapur në afërsi të landfillit të Sharrës në zonën e Kombinatit, ku është sekuestruar edhe arma e krimit.
Këtë të mërkurë, Hutra 40 vjeç, një person me precedentë të rëndë penalë, dyshohet se vrau 3 gra dhe plagosi 3 të tjera, në 3 vende të ndryshme të kryeqytetit.
Ai fillimisht ka qëlluar më thikë të dashurën në Astir për shkak se refuzoi t'i jepte para borxh, më pas ka shkuar në shtëpinë e ish-gruas në Paskuqan, me të cilën kishte një vajzë 4 muajshe dhe me breshëri kallashnikovi ka lënë të vdekur, motrën dhe kunatën e saj! Të plagosura kanë mbetur vetë ish-gruaja dhe nëna e saj!
Disa minuta më vonë, është vrarë në Kamëz, 31-vjeçarja Etleva Kurti, për vrasjen e së cilës dyshohet se autor është përsëri Dan Hutra.
Këtë dyshim e ka ngritur i vëllai i saj Vladimir Kurti, i dënuar përjetë për vrasje, i cili ka thënë se ka pasur konflikte me Hutrën në Burgun e Drenovës. Policia po i heton të trija ngjarjet si një çështje e vetme.
Itinerari i autorit
Fillimisht u bë e ditur se në zonën e Paskuqanit, Hutra kishte qëlluar me breshëri automatiku ndaj familjarëve të ish-gruas së tij. Autori i dyshuar ka plagosur ish-bashkëjetuesen dhe nënën e saj, ndërsa ka vrarë Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).
Autori nuk ka komunikuar me asnjë nga personat që ndodheshin në banesën e ish bashkëshortes. Sapo ka hyrë ka qëlluar me breshëri duke lënë të vdekur motrën e ish-gruas dhe të fejuarën e vëllait të saj. Burimet bëjnë me dije se atij i është bllokuar kallashnikovi dhe ka nxjerrë thikën. Më thikë ai ka plagosur ish-bashkëjetuesen dhe nënën e saj.
Para se të vriste familjarët e ish-gruas, Dan Hutra plagosi fillimisht të dashurën me thikë, një 40-vjeçare në zonën e Astirit.
Policia njoftoi se “rreth orës 12:15 (të kësaj të mërkure), është paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore në spital, shtetasja M. G., 40 vjeçe, e dëmtuar me mjet prerës, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën”.
Sipas dëshmisë, 40-vjeçarja ka deklaruar se me Dan Hutrën ka njohje të mëparshme. Sipas saj, Hutra i shkoi në biznesin e saj në Astir dhe i kërkoi para.
M.G., deklaroi se herë pas here, Dan Hutra i merrte para borxh. Edhe sot kërkoi të njëjtën gjë, por 40-vjeçarja refuzoi t’ia jepte. Për këtë arsye, Dan Hutra e plagosi me thikë dhe u largua. Ajo nuk e denoncoi ngjarjen, por pasi shkoi në spital për mjekim kanë qenë mjekët ata të cilët lajmëruan efektivët. Gruaja ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Si u lirua Dan Hutra pas dhunës në familje
Sipas policisë, ai kishte pak ditë që kishte lënë qelinë, pasi 40-vjeçari ndodhej në burg së fundmi për dhunë në familje dhe është liruar vetëm dy javë më parë pas përfundimit të dënimit.
Ai ka bërë kërkesë, nëpërmjet avokatit të tij në janar të këtij viti për të ndryshuar masën e sigurisë në “Detyrim Paraqitjeje”. Një kërkesë e tillë ishte refuzuar nga Gjykata e Tiranës.
Sipas vendimit të dhënë nga gjyqtari Gert Hoxha, 40-vjeçari u dënua me 1.6 muaj burg, por përfitoi ulje me një të tretën për shkak se ndaj tij u aplikua gjykimi i shkurtuar duke u dënuar përfunimishtr me një vit burg.
Me pendesën e tij, diabetin, nënën e moshuar për të cilën duhet të kujdesej, por edhe fëmijën e sapolindur të Elenës, Dan Hutra, arriti të merrte një dënim prej 1 vit e 6 muaj burgim, nga 3 vjet që parashikon maksimumi i dënimit për dhunë në familje.
Për masën e dënimit, Prokuroria dhe Gjykata e Tiranës ishin në sinkron.
Ai u lirua në 16 Shkurt pasi shleu dënimin e dhënë me periudhën e paraburgimit, teksa në dosjen e Prokurorisë bie në sy edhe fakti se Dan Hutra, kishte kanosur familjen Hysa për tërheqjen e kallëzimit.
Elena Hysa, gjithashtu rezulton t’i ketë thënë hetuesve se në banesë, 41-vjeçari mbante edhe armë zjarri dhe ajo kishte frikë pasi më parë ai është dënuar për vrasjen e gruas së tij.
Kontrollet në banesë nuk dhanë rezultat dhe arma e pretenduar nga e reja nuk u gjet asnjëherë.
Ndërkohë në Dhjetor të 2021, Dan Hutra ra në prangat e Policisë së Durrësit për vjedhje të pulave në një banesë. Ai u lirua nga Gjykata e Durrësit për t’u hetuar në “Detyrim paraqitje”.
Nga viti 2003 kur shkeli për herë të parë ligjin, Dan Hutra u shpreh i penduar para drejtësisë disa herë, por në asnjë rast nuk reflektoi se ishte rehabilituar, megjithatë sistemi gjeti sërish rrethana lehtësuese për të.
Krimi i parë që 20 vjeç
Me një skedë të pasur kriminale, Dan Hutra krimin e parë e bëri kur ishte 20 vjeç. Në atë kohë mbajti peng nënën e kunatës së tij dhe përdhunoi kunatën tjetër, krime për të cilat u dënuar vetëm me 3 vjet burg.
Pasi doli nga burgu u fejua me një vajzë 22-vjeçare, të cilën e vrau në dhjetor të 2007. Dafina Havalja u vra në shtëpinë ku bashkëjetonte me Hutrën në Tiranë.
Dyshonte se e tradhtonte, e për këtë arsye e vrau të renë duke e goditur me thikë në zemër. Për këtë ngjarje të rëndë u dënua me 24 vjet, por duke qenë se gjykata pranoi gjykimin e shkurtuar, ai qëndroi në burg vetëm 16 vjet.
Por Hutra, veç vrasjes rezulton të ketë kryer veprime stimuluese duke e paraqitur ngjarjen e vrasjes së gruas, si vetëvrasje.
Kjo, pasi Hutra thikën me të cilën krye krimin, ia ka vendosur në dorë gruas së tij, dhe më pas është larguar në drejtim të Kukësit, ku dhe është arrestuar pas një jave.
Pasi ka kryer krimin, i pandehuri është larguar qetësisht nga banesa, duke mbyllur derën dhe ka marrë në telefon nënën e viktimës, të cilës i ka thënë: "…Rrofsh vet, se për Arianën e kam mbyt…".
Në burg u rikthye më 16 qershor të vitit të shkuar, për dhunë në familje. Do të kishte qenë ende në burg, nëse ish-bashkëshortja e tij Elena Hysa, e cila mbeti e plagosur këtë të mërkurë në masakrën që ndodhi në familjen e saj, nuk do të kishte tërhequr kallëzimin.
Me Elenën kishte pasur konflikte të vazhdueshme, pasi i kërkonte asaj një shumë parash që pretendonte se i kishte shpenzuar më parë me të. Mbetet e paqartë përse e tërhoqi kallëzimin 35-vjeçarja Hysa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.