Lajme

Detyrim paraqitje për Ervin Matën, i përfshirë në sherrin me Ervis Martinajn

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë detyrim me paraqitje për Ervin Matën, i përfshirë në sherrin e ndodhur në ish-Bllok në fillim të tetorit të vitit të kaluar.

Vetë Mata, që njihet si biznesmen, nuk është paraqitur në seancë, por kishte dërguar një shkresë ku autorizonte përfaqësimin e tij përmes një avokati.

Prokuroria nga ana tjetër kërkoi arrest me burg për të riun. Gjykata e ka hedhur poshtë kërkesën e organit të akuzës, nisur edhe nga fakti që ai u vetëdorëzua më 1 mars. Mata duhet të paraqitet në polici dy herë në muaj, përkatësisht të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji përgjatë gjithë periudhës së hetimeve.

Mata ndodhej prej rreth 4 muajsh në kërkim, ndërsa ende nuk dihet në çfarë kushtesh e ka ndërmarrë një veprim të tillë. Ervin Mata, u përfshi në konfliktin me armë të ndodhur në 5 tetor të vitit të kaluar në një lokal në ish-Bllok.

Si pasojë e këtij konflikti mbeti i vrarë Fabiol Gaxha dhe u plagosën 36 vjeçari Ervis Martinaj dhe Eljon Hato, 28 vjeç. Gaxha u qëllua për vdekje nga komandoja Mevjol Billo si pasojë e një përplasje me armë mes grupit të Ervis Martinajt dhe atij të Ervin Matës.

Fillimisht, pati dyshime se konflikti erdhi si pasojë e një ngacmimi që i ishte bërë të fejuarës së Matës, këngëtares së njohur Elvana Gjata, por hetimet vazhduan edhe për motive që kishin të bënin për prishje të pazareve të drogës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë