Detyra e Elez Biberajt si drejtor ekzekutiv i Zërit të Amerikës ka zgjatur vetëm gjashtë muaj. Biberaj ka njoftuar kolegët dhe publikun përmes një letre, ku thotë se do të largohet nga kjo detyrë pas vendimit të Michael Pack, shefi ekzekutiv i Agjencisë Amerikane për Median Globale.
“I jam thellësisht mirënjohës zotit Pack për mundësinë për të shërbyer, po ashtu edhe ish-zyrtarit të USAGM, André Mendes, që më rekomandoi për këtë detyrë të rëndësishme. Kur u emërova Drejtor në Detyrë, u zotova se do të bëja çmos për të respektuar Kartën e Zërit të Amerikës dhe për t’iu përmbajtur standardeve më të larta të gazetarisë. Kam bërë çdo përpjekje për ta përmbushur këtë zotim, duke mbrojtur integritetin editorial të Zërit të Amerikës dhe murin që e ndan atë nga ndërhyrjet e mundshme politike. Së bashku me kolegë të tjerë në poste drejtuese, kemi marrë masa për të forcuar procedurat editoriale, në mënyrë që raportimet tona të jenë të bazuara në fakte, të ekuilibruara dhe pa paragjykime”, shkruan Biberaj.
Shqiptari, që u bë i pari që mori në dorë të gjithë “Zërin e Amerikës” nuk fsheh përplasjet me administratën amerikane.
“Për fat të keq, Zëri i Amerikës dhe USAGM kanë patur përplasje të shpeshta gjatë kësaj periudhe. Disa zyrtarë të agjencisë shkelën rregulla, protokolle dhe procese, që unë i konsideroj si të paprekshme dhe ishin mospërfillës ndaj dëmit që veprimet dhe vendimet e tyre patën tek operacionet dhe misioni i Zërit të Amerikës. Përpjekjet për të shkelur pavarësinë e gazetarëve të Zërit të Amerikës vunë në rrezik besueshmërinë tonë të fituar me shumë mund, në një kohë kur demokracia në shkallë globale ka bërë hapa pas dhe kur në mbarë botën janë shtuar kërcënimet ndaj vlerave dhe rolit të Amerikës si mbartësja e vlerave morale”, vijon Biberaj.
Megjithatë, Biberaj thotë se nuk do të largohet krejtësisht nga Zëri i Amerikës. “Ky nuk është një mesazh lamtumire. Sapo drejtori i ri i Zërit të Amerikës të fillojë punën, unë do të kthehem në pozicionin tim të mëparshëm si Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë”, deklaron ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.