Trend

‘Detoksifikimi’ nga rrjetet sociale është kthyer në një trend

Selena Gomez, Lizzo dhe Tom Holland kanë mbyllur Instagramin dhe Twitter për të bërë një pushim nga rrjetet sociale. A i ka bërë kjo më të lumtur?

Në gusht, aktori Tom Holland postoi postoi një video në Instagram duke thënë se po bënte një pushim nga platformat sociale, sepse i shihte ato si dërrmuese.

“Stresohem kur shikoj komente për veten në rrjetet sociale dhe në fund të fundit është shumë e dëmshme për shëndetin tim mendor”, tha ai.

Të tjerë, si këngëtaret Lizzo dhe Selena Gomez, kanë bërë shpesh herë “pushime” nga rrjetet sociale.

Në fillim të këtij viti, një studim tregoi se një ndërprerje njëjavore është e mjaftueshme për të pasur një efekt pozitiv. Në një grup të përzgjedhur rastësisht për të bërë një pushim nga platformat si Twitter, Instagram, Facebook dhe TikTok, studiuesit zbuluan se simptomat e depresionit dhe ankthit ishin zvogëluar dhe mirëqenia e përgjithshme u rrit.

A do të kishte një ndikim edhe më të madh një periudhë më e gjatë?

“Ne jemi ende duke u përpjekur të kuptojmë nëse një pushim më i gjatë ka përfitime afatgjata për njerëzit”, thotë Jeffrey Lambert, pedagog në Universitetin e Bath, i cili kreu studimin.

“Për shumë njerëz, thjesht duke marrë atë pushim njëjavor u dha atyre një mundësi për të reflektuar se sa shumë po përdornin mediat sociale dhe arsyet se pse po i përdornin. A po e përdornin atë thjesht për të kaluar kohë apo po e përdornin për një qëllim pozitiv, për t’u lidhur me miqtë ose familjen”.

Studiuesit intervistuan disa nga pjesëmarrësit një vit më vonë.

“Kishte disa njerëz që vazhduan të qëndronin larg rrjeteve sociale”, thotë Lambert.

“Disa iu kthyen rrjeteve sociale por krijuan disa rregulla për veten e tyre rreth mënyrës se si do të merreshin me të. Disa i kishin fshirë aplikacionet nga telefoni i tyre, ose kishin vendosur të mos i përdorin ato në mëngjes”, tha Lambert.

Rrjetet sociale, thotë psikologia klinike Roberta Babb, mund të jenë dërrmuese.

“Ne kemi akses në sasi të mëdha informacioni. Është njëkohësisht e kontrollueshme dhe e pakontrollueshme. Nuk dihet kurrë se çfarë informacioni do marrësh. Gjithashtu nuk fiken kurrë, edhe nëse bëni një pushim, ju e dini se po vazhdon pa ju

Duke shpenzuar shumë kohë në mediat sociale, thotë ajo, përdoruesit “po e ekspozojnë veten ndaj shumë gjërave negative dhe traumatike. Ekuilibri midis gjërave të mira dhe gjërave jo shumë të mira nuk është i barabartë, dhe kjo mund të jetë mjaft traumatike për njerëzit”.

Në një studim të ri, disa psikologë anketuan njerëzit që kishin bërë “detoksifikim” nga mediat sociale.

“Një nga arsyet pse ne u interesuam për të bërë këtë studim është sepse termi “detoks i mediave sociale” po bëhet viral”, thotë David Robertson, pedagog i psikologjisë dhe një nga autorët e studimit.

Ai thotë se në studim u zbulua se njerëzit kanë filluar të kuptojnë se po i përdorin tepër rrjetet sociale dhe tani janë të vetëdijshëm për përfitimet pozitive të gjumit, problemeve që u sjellin rrjetet sociale dhe sa e rëndësishme është një shkëputje nga bota virtuale.

Për një detoksifikim të suksesshëm, Robertson thotë se duhet personat duhet tu tregojnë njerëzve se do qëndrojnë larg rrjeteve sociale.

Frika për të humbur kontaktet ishte një shqetësim që u shfaq në studim. Njerëzit kishin frikë mos humbnin kontaktet me personat që lidheshin vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale.

Teknikat e shpërqendrimit mund të ndihmojnë gjithashtu.

“Disa njerëz vunë re se një nga arsyet pse u kthyen në mediat sociale ishte sepse nuk mund të gjenin një aktivitet alternativ për t’i shpërqendruar. Nëse jeni duke bërë një detoks, përpiquni ta zëvendësoni atë me diçka që ju pëlqen ta bëni”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë