Plani për një atentat mafioz me mina me telekomandë që po përgatitej në Lezhë me shënjestër një person në Tiranë, është parandaluar nga policia e Lezhës.
Dy persona, Edmir Vlashi, 31 vjeç dhe Hektor Ndoka, 31 vjeç të shpallur në kërkim nga policia, kishin planifikuar kryerjen e atentatit për shkak të konflikteve si pasojë e prishjeve të pazareve të drogës jashtë vendit. Policia thotë se ata janë të 2 me precedentë të theksuar kriminalë dhe të dyshuar për disa ngjarje të rënda kriminale. Po ashtu, mësohet se ata janë baxhanakë me njëri tjetrin, dhëndurë në familjen e Nikoll Markut.
Ata kishin përgatitur si bazë për fshehjen e armatimit dhe të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal, banesën dhe restorantit e Nikoll Markut 60-vjeç, i cili është arrestuar nga policia bashkë me gruan e tij, Marie Marku, 60 vjeçe.
Në pranga, bashkë me ta është vënë edhe dhëndri i tyre, Mark Lamkja, pasi ka tentuar të fshehë provat që janë gjetur gjatë operacionit policor.
Ky i fundit rezulton i dënuar më parë në Itali për tentativë vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Gjatë operacionit policia ka sekuestruar 2 minat me telekomandë që do të përdoreshin për atentatin, me lëndë eksplozive C-4, të përgatitura gati për shpërthim, të cilat sipas hetimeve del se janë prodhuar në një vend fqinj me Shqipërinë, si dhe 88.900 euro të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Armët e sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, për ekzaminime të mëtejshme, pasi nga informacionet e grumbulluara dyshohet se këto armë janë përdorur edhe në ngjarje të tjera kriminale të ndodhura më parë.
Të arrestuar
Mark Lamkja, 27 vjeç
Nikoll Marku, 62 vjeç
Marie Marku, 60 vjeçe
Janë shpallur në kërkim
Edmir Vlashi, 31 vjeç
Hektor Ndoka, 31 vjeç
Armët dhe mjetet e sekuestruara
2 armë automatike me shënjestër optike,
2 kallashnikovë,
1 armë automatike model “Scorpions”, me silenciator me dy krehra,
1 armë zjarri pistoletë model “Glock”, me një krehër me 11 fishekë,
fishekë luftarak,
kapsolla detonatore,
fitil zjarrrpërcejllës,
1 armë gjahu,
2 radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë,
2 skafandra motori
1 automjet
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.