Kosova

Dështon për herë të 24-t konstituimi i Kuvendit të Kosovës

Nga Gazeta ‘Si’- Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të shtunën, për të 24-tën herë radhazi, që të konstituojnë përbërjen parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Dështimet e njëpasnjëshme po ndodhin pavarësisht thirrjeve nga shoqëria civile në Kosovë dhe faktori ndërkombëtar që Kosova të krijojë sa më shpejt institucionet e reja.

Për të gjashtëmbëdhjetën herë me radhë, deputetët nuk votuan për formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kryeparlamentarin e ri.

Votimi i fshehtë është propozuar më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi kandidatja e partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në disa votime të hapura nuk mori 61 votat e nevojshme që të zgjidhet në këtë post.

Çështja e votimit të fshehtë është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me mbështetjen e deputetëve nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë