Lajme

Dështon grabitja në bankë, vritet polici dhe hajduti në Kosovë

Policia e Kosovës ka njoftuar se një efektiv ka vdekur pasi është sulmuar me armë zjarri në Istog gjatë një grabitjeje.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani ka thënë për mediat se personi i dyshuar, në përpjekje për t’u larguar nga vendi i ngjarjes ka shtënë me armë zjarri në drejtim të policit Izet Demaj, i cili ka ndërruar jetë pas plagëve të marra.

Rreth orës 15:35 Policia ka marrë një informatë për një grabitje në një filial të NLB Bankës në Istog. Polica e Kosovës me të arritur në atë lokacion ka hasur në personin e dyshuar që ka qenë në posedim të armës së zjarrit.

Personi i dyshuar në përpjekje për t’u larguar nga vendi i ngjarjes ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë, të cilët për vetëmbrojtje janë detyruar t’i përgjigjen me armë zjarri duke e lënë të vrarë në vend.

“Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit edhe një zyrtar policor ka pësuar plagë të rëndë, i cili nuk ka mbijetuar dot”, ka thënë Kelani.

Ai ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes policia ka gjetur një granatë dore dhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur nga grabitësi i identifikuar si Kamer Metaj. Nga videot e publikuara në mediat kosovare shihet se Kamer Metaj është qëlluar në gjoks.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë