Rend dhe Ligj

Dëshmitë / Policisë shqiptare i mbeti “pilafi i grekëve”, kokaina dhe porositësit u zhdukën

Në të njëjtën kohë kur DEA amerikane ishte vendosur në gjurmët e kontenierëve që po lundronin nga Ekuadori drejt Greqisë dhe kishin si destinacion fundor Shqipërinë, disa nga trafikantët në Durrës po bëheshin gati për transportin.

Siç mëson Gazeta Si nga anëtarë të hetimit pranë Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar, makina gri me targat CY 725 XY, që më pas u përdor për të hyrë në port e për të larguar 22 kilogramë kokainë, ishte blerë në Francë. Mjeti është sjellë në Fier nga shtetasi Elis Skënderaj zbuluan më tej oficerët e policisë dhe me ndërmjetësimin e shtetasit Erjon Daullja mjeti i është shitur Gentian Malindit. Por pavarësisht këtij transaksioni pronësia e mjetit nuk ishte kaluar ende në emrin e Malindit që vazhdon të jetë në kërkim, por që është në pozita të vështira para drejtësisë.

Burimet kanë dyshime të arsyeshme të besojnë se Daullja është lidhje e largët me një tjetër person të njohur të narkotrafikut që shpesh është lakuar si “ZOTËRUES” i drogës. Burimet tregojnë se Daullja ka lidhje me Alket Hatinë, një 46-vjeçar i lakmuar edhe nga drejtësia italiane, sepse dyshohej për transport të kokainës dhe heroinës. Por këto janë vetëm dyshime, shton i njëjti burim, bazuar në emrat e personave që kanë dalë në skenë deri më tani, jo vetëm të atyre që janë arrestuar, por edhe të atyre që janë nën hetim.

22 kilogramë oriz pa një pako

Gazeta Si u interesua në vijim për sasinë që kanë marrë trafikantët nga kontenierët frigoriferikë. Siç u konkludua pas shtatë ditëve vëzhgim në Portin e Durrësit, Gentian Malindi (në kërkim), Ardian Bega dhe Altin Myslyhaka kanë ndërhyrë vetëm tek njëri nga kontenierët dhe kanë marrë prej andej vetëm 22 pakot që për shkak të zëvendësimit ato nuk ishin me kokainë, por me oriz. Por kur ata i shpëtuan grupeve të vëzhgimit të vendosura në një distancë të konsiderueshme, pas ndjekjes, policia gjeti në mes të shkurreve jo 22 pako, por 21.

Një pako mungonte, theksoi për Gazetën Si, një burim tjetër dhe nuk bëhet fjalë të ketë humbur, të jetë harruar diku apo ta ketë vjedhur dikush nga grupi i policisë. Pakoja me shumë mundësi është marrë prej njërit nga tre të dyshuarit, me shumë mundësi nga Malindi. Sigurisht shton burimi, i dyshuari nuk e ka marrë as për ta gatuar, as për të luajtur me policinë. Mundësitë janë që ky të jetë një kod mes trafikantëve, për t’u treguar të tjerëve të lidhur me të, që duhet të jenë pjesë e zinxhirit ndoshta më lart tij, apo tek dërguesit.

Si e njihte djali i avokatit mallin e tij?

Personi që vështirëson pozicionin e Gentian Malindit është pikërisht 53-vjeçari që ka folur dhe ka bërë komplet të paditurin. Ardian Bega, i cili nga kërkimet hetimore është në gjendje të keqe ekonomike dhe me një kredi të pashlyer rezulton të jetë oficer i skafit të sigurisë në port. Pra ishte patrullues për sigurinë në kalatë, një punë që e kryente prej kohësh. Por sidoqoftë ai është po ashtu edhe në lidhje krushqie me një person tjetër të njohur po në qytetin e Durrësit. Kur atij i shkuan në shtëpi, pa i dhënë shpjegime se përse po e shoqëronin, mësohet t’i ketë thënë familjes se me siguri për ndonjë sqarim të vogël. Është veshur i qetë dhe ka bërë të habiturin kur policia e ka sjellë në Drejtorinë e Tiranës ku është pyetur me detaje për praninë e tij në port dhe largimin më pas me një makinë gri në të cilën sapo ishte marrë në kondicionerin e kontenierit frigorifer çanta me kokainë.

Frigoriferi i konteinerit ku ishte fshehur droga e sekuestruar nga policia greke dhe DEA amerikane dhe e zëvendësuar me 22 pako oriz. Gazeta Si, 29 shtator 2019

Bega tregon: Përpara se të shkoja në kalatë kam pirë madje kafe edhe me Gentianin dhe me babain e tij. Më kërkoi ndihmë Gentiani të nxirrja diçka nga porti, që sipas tij ishte naftë. Gentiani hipi në makinë, i jepte ai makinës. Tek vendi i rojës qëndrova dhe fillova muhabetin me rojen që quhet Bashkim Haka. Pimë të dy nga një gotë raki. Kur erdhi me çantën në krah Altini ikëm menjëherë. Rrugës Gentiani i tha Altinit: “Hape, ma jep ta shikoj njëherë”. Ai i dha një pako. Gentjani e pa dhe pastaj shtoi: “Nuk është mbështjellja jonë”. Më pas i tha: “Shtype”. Ai e shtypi. I tha “shtype prapë” dhe bëri të njëjtën gjë. I kërkoi të çante njërën nga pakot dhe kur Altini e hapi me thikë, pamë që ishte oriz. Na kërkoi t’i hidhnim të gjitha.

Të paditurin ka bërë edhe i arrestuari tjetër, një peshkatar dhe punëtor krahu në anijen që Malindi ka Durrës dhe që pikërisht nga ky shkak ai ishte i pajisur edhe me dokument për të hyrë në port.

Por, ndërkohë pavarësisht se e konsideron një sukses këtë aksion, policia po analizon se cilat nga strukturat e saj dështoi për aq sa pas një vëzhgimi të gjatë në port, policia nuk mundi të arrestonte në flagrancë asnjërin nga tre të dyshuarit, edhe pse në çantën ku ishin pakot me drogë kishte pajisje gjurmimi. Nuk dihet ende se ku çaloi ndërhyrja nëse bëhet fjalë vetëm për një maturi për të mos rrezikuar efektivët, apo paaftësi. Nga ajo që tregojnë veprimet e mëpasshme policore, me shumë gjasë policia ka treguar edhe njëherë mungesë zotësie për të ndërhyrë në kohë ndaj shënjestrës.

Bëhet e ditur se pasi kanë gjetur të flakura pakot me oriz policia nuk dinte asgjë se kush ishin ata që kishin hyrë në port dhe që më pas kishin marrë 22 pakot. Së pari është marrë në pyetje roja Haka që ka sqaruar se i njihte njerëzit që kishin hyrë dhe ka treguar emrat e tyre. Më tej edhe nga këqyja e hyrje- daljeve është konfirmuar për identitetin e Malindit dhe dy të tjerëve.

Kësisoj kanë nisur kërkimet duke “bujtur” në banesat e të dyshuarve, megjithëse kanë gjetur vetëm dy prej tyre, ndërsa i treti vazhdon të jetë pa gjurmë. Përveç tij, një i katërt është në rrethin e të hetuarve, pasi mendohet që ka dhënë ndihmën e tij në transport.

Po pakot e tjera ?

Kryepolici Ardi Veliu e deklaroi si sukses kapjen e 137 kilogramëve kokainë që në fakt ishte 137 kg me oriz, që ishte zëvendësuar në Pire. Por koncepti bazë për bllokimin e ngarkesave në literaturën policore është i tillë: Konsiderohet sekuestro çdo ngarkesë që bllokohet nga policia përkatëse, në këtë rast nga pala greke, DEA, edhe pse pala shqiptare u ftua të jetë pjesë e “udhëtimit “ të kokainës me shpresën se do të zbuloheshin pritësit e vërtetë.

Policia shqiptare nuk sekuestroi asnjë gram kokainë dhe nuk arriti tek porositësit në këtë operacion, por Drejtori i Përgjithshem i Policisë, Ardi Veliu e vlerësoi atë si të suksesshëm. Gazeta Si, 29 shtator 2019

Pritësit tërhoqën vetëm 22 pako dhe kaluan indiferentë ndaj tre ngarkesave të tjera që në total bëjnë 115 kilogramë. Pasi policia priti trafikantët edhe për disa ditë të tjera është detyruar që të ndërhyjë në kontenierë dhe të tërheqë prej andej pakot, vend fshehjen e të cilave nuk e zbuloi as gjatë një kontrolli rutinë dhe as me informatorë. Vendndodhjen e tyre ja kishte treguar DEA dhe policia shqiptare kishte vetëm një detyrë, të priste trafikantët, apo edhe “transportuesit” dhe t’i arrestonte ata.

Por, edhe ndjekja e tyre dështoi, ndonëse Gazeta Si u interesua se përse në datën 19 shtator ora 20.45 nuk pati grupe të mjaftueshme që ta vazhdonin ndjekjen që askujt mos t’i humbisnin trafikantët nga sytë.

Përgjigjja ishte: “Operacioni vazhdon ende”, një frazë kjo që përdoret shpesh jo për të mbajtur një sekret hetimor, por për të fshehur keq koordinimin e disa strukturave të angazhuara në aksionin antidrogë.

A ka kontenierë të tjerë me kokainë?

Operacioni më i fundit tregoi se të katër kontenierët me banane që i përkisnin biznesmenit Eduart Dauti ishin të katërt me ndërhyrje sa në sistemin ftohës, sa pranë dyerve të modifikuara. Por të dhënat janë të pamjaftueshme që ta lidhin atë si një nga porositësit e kokainës. Prokuroria e përjashton kategorisht hetimin e Dautit në këtë çështje, ndonëse ai që prej muajit gusht ka qenë nën përgjim intensiv për aq kohë se kompania që drejton “Alba Exotic Fruit” ishte porositëse e bananeve në Ekuador.

Qendra e biznesit tregon se kompania është themeluar në vitin 2011 dhe ka si objekt import-eksportin dhe tregtimin e përpunimin e frutave të ndryshme. Por pritet të qartësohet nëse është e implikuar kompania, edhe pse dihet që shpesh kontenierët përdoren nga trafikantët pa dijeninë e biznesmënëve.

Sakaq prokuroria ka dyshime se nuk përjashtohet aspak mundësia që Porti i Durrësit të jetë kthyer në një nga pikat e kuqe të tranzitimit të drogërave të forta dhe ky parashikim vjen nga llogaritja e sasive të kokainës të kapura gjatë vitit të fundit. Por a janë një hap përpara kriminelët e narkotrafikut, nga policia dhe prokuroria? Të hënën Gazeta Si do të sjellë një dosje të ngjashme të kokainës të hetuar nga të huajt e të mbyllur me vetëm një të arrestuar në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë