Ana e errët

Dëshmia / 50-vjeçarja qerasi nipin dhe shokët e tij me raki, ata e përdhunuan dhe e vranë

Dëshmia e 16-vjeçarit Sindi Shehaj zbulon detaje tronditëse se çfarë ka ndodhur natën e 5 janarit, kur u vra në mënyrë mizore nga tre të rinj 52-vjeçarja Drita Saliaj në Mallakastër.

Minoreni ka dhënë dëshminë e tij në prani të psikologut. Në bazë të kësaj dëshmie, grupi hetimor beson se viktima, Drita Saliaj është përdhunuar nga ana e 26-vjeçarit Ervis Zotaj para se ta lidhnin dhe më pas hidhnin në rezervuar.

Sipas kësaj dëshmie të zbardhur nga “Balkanweb”, Sindi Shehaj ka marrë një telefonatë në orët e vona të mbrëmjes së 4 janarit nga Luis Saliaj, nipi i Drita Saliajt. Ai i ka kërkuar që të shkonte në fshatin Gjerbës ta takonte “pasi ashtu e kishte punën”.

Në bisedë e sipër, thuhet në dëshminë e të miturit, Luis Saliaj i ka thënë të linte aty makinën e tij e të merrte atë të Ervis Zotaj, pasi do të shkonin të merrnin hashash tek shtëpia e Drita Saliaj. Pas kësaj kanë shkuar tek banesa e kësaj të fundit, ku sipas tij, Luisi i ka thënë që të mos hynte brenda pasi kishte pak punë.

Sindi Shehaj dëshmon se ka pritur jashtë, ndërkohë që Ervin Zotaj e Luis Saliaj kanë qenë brenda duke pirë kafe me shtetasen Drita Saliaj. Pas rreth 20 minutash e ka thirrur Luisi, e është futur brenda, ku Drita i ka dhënë një gotë raki.

Gjatë kohës që po pinte gotën e rakisë Luisi, nipi i viktimës është ngritur me pretendimin se do të shkonte në tualet, por në të vërtetë është futur në dhomën tjetër, e ka dalë prej andej me një pako hashash.

Këtë të fundit e ka lënë tek pragu i derës e është futur përsëri në kuzhinë. Pas kësaj Luisi ka kërkuar që hashashin ta blinte me 50 euro, ndërsa Drita thoshte me 200 euro. Në këtë moment, Sindi Shehaj dëshmon se Luisi i ka kërkuar që të dilte jashtë dhe ta priste tek makina.

Sipas dëshmisë, kur ka dalë jashtë ka dëgjuar të bërtiturat e Dritës. Ai është afruar tek dritarja dhe ka parë që Ervisi i ka hequr me dhunë pantallonat Dritës e pas kësaj ka kryer marrëdhënie seksuale me të. Ndërkohë që Ervisi kryente marrëdhënie seksuale, Luisi ka dalë jashtë ku ka gjetur dy litarë me të cilët e kanë lidhur Dritën. Pas kësaj Ervisi dhe Luisi i kanë futur në gojë një shall dhe e kanë nxjerrë jashtë duke e mbajtur në krahë dhe e kanë çuar tek makina e Ervisit.

Makinën e ka drejtuar ai, e Ervisi ka qëndruar me Dritën në sediljen e pasme, ndërsa Luisi në sedijen e parë të pasagjerit. Pasi janë nisur Luisi i ka thënë të ecte me shpejtësi në drejtim te rezervuarit.

Rreth orës 03:00 të 5 janarit kanë mbërritur tek rezervuari, ku Luisi dhe Ervisi e kanë zbritur nga makina dhe e kanë hedhur menjëherë në ujë. Pas kësaj janë kthyer në Gjerbës ku ka marrë makinën e tij dhe është larguar për në banesën e vet, ndërsa Ervisi e Luisi kanë shkuar përsëri tek banesa e Drita Saliaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë