Njerez

Deri sa duhen lejuar mikrokredituesit të zhvasin qytetarë?!!

Nga Gazeta Si - “Ishte verë, kisha menduar  të blija një kompjuter por nuk doja të prekja pagën dhe duke parë reklamat për financime me shuma të vogla në internet, aplikova vetëm me një kartë identiteti tek një bankë, për shumën 50 mijë lek”.

Altini është një djali 35 vjeç dhe jeton në një zonë në periferi të Tiranës.

Kredinë konsumatore të marrë 5 vjet më parë thotë se e ka shlyer të gjithën, por gjobat e vendosura nga zyra ku aplikoi e ka kaluar disafish shumën fillestare.

I pyetur nga Gazetasi.al, Altini rrëfen historinë e tij që nuk ka qenë e lehtë për t’u harruar e për më tepër, vijon akoma.

“Kësti i parë do të paguhej në shtator dhe ishte 8600 lek. Sipas kontratës me bankën, unë do të shlyeja për 8 muaj shumën totale 68 mijë lek me të gjithë interesat. Unë nuk pagova dot dy muajt e parë dhe në muajin e tretë, pra në nëntor banka më lajmëroi se për vonesat në pagesat e kësteve duhet të paguaja 30 mijë lek për 2 muaj, që sipas tyre janë gjobat për mospagesat në kohë.

Në muajin dhjetor, pra muaji i katërt i kredisë time konsumatore, unë derdha në llogarinë e tyre, shumën 60 mijë lekë dhe në muajin shkurt dhe 8 mijë lekë, duke kompletuar për 8 muaj pagesën 68 mijë total që kisha firmosur”, shpjegon Altini.

Por banka jo vetëm që nuk ia njohu, por për detyrimet e kamatave dhe gjobës 30 mijë lek, kërkoi ndihmën e shërbimit përmbarimor të cilët prej muajit shkurt e në vazhdim nuk reshtën së kërkuari tek Altini shlyerjen e gjobës.

“Në fillim më mori një përmbarues ku më kërkonte llogari për 30 mijë lek ndonëse unë i shpjegoja se i kisha shlyer sipas kontratës.

Pas një muaji më bie telefoni dhe ishte një tjetër përmbarues e kështu me radhë më telefonuan plot 5 të tillë dhe aty e kuptova që po më zhvatnin. Ndaj mbylla kontaktet me ta dhe nuk iu përgjigja telefonatave”, tregon i riu.

Historia nuk mbeti me kaq, por sapo Altini ndryshonte punë, paga e parë gjithmonë bllokohej nga banka ku derdhej shuma dhe ai detyrohej të linte punët sepse nuk donte të hynte në aktmarrëveshje me ta për shlyerjen e gjobës, siç ja kishin rekomanduar përmbaruesit.

“Prindërit më nxitnin ta paguaja dhe këtë shumë, por më vinte shumë inat sepse kisha marrë vetëm 50 mijë lekë dhe më kërkonin 10-fishin e saj, ishte absurd”, thotë i riu.

Altini kërkon dëmshpërblim për pagesat e bëra mbi detyrimin fillestar, të justifikuara nga subjekti i biznesit ku aplikoi si gjoba apo kamatëvonesa. Ai thotë se është gati të hapë një gjyq e të padisë autorët e kësaj vjedhjeje, në të cilën me dashje apo pa dashje u përfshinë dhe bankat ku ai ka tërhequr pagën mujore.

Denoncimet e qytetarëve, shteti indiferent

Qendra ‘Konsumatori Shqiptar’ ka ndjekur disa prej rasteve të adresuara nga qytetarë të ndryshëm të prekur nga skema e mashtrimit me mikrokreditë.

Ersida Teliti, drejtuese e qendrës thotë për Gazetasi.al se “nga praktikat që kemi patur, këtyre qytetarëve u janë dërguar shkresa në formatin zyrtar të përmbaruesve dhe të gjendur përballë këtij presioni, ata kanë paguar detyrime disafish më shumë se huaja fillestare”.

Kjo situatë, thotë Teliti, është përshkallëzuar deri në nivele të bllokimit të shtëpive, pagave “madje një rast që e kam ndjekur në Durrës, i kishin bllokuar dhe bonusin e qirasë që përfitonte si i pastrehë nga bashkia, pasi i ishte dëmtuar shtëpia nga tërmeti”, thotë Teliti.

Sipas saj, nëse shihen aktet ligjore, në të tilla raste nuk duhet të cënohet minimumi jetik.

Drejtuesja e qendrës “Konsumatori Shqiptar” thotë se në të tilla situata, bankat ishin të detyruara të zbatonin shkresën e përmbaruesve pasi moszbatimi i saj kërkonte një vendim gjykate.

“Skemat e mashtrimit me mikrokreditë nxorën në pah dhe kaosin në sistemin gjyqësor, të cilat nuk shpjegonin qartë mënyrën se si duhet të zhbllokohej prona e vënë në sekuestro nga shërbimi përmbarimor, apo firmosja e kontratave të reja në kushtet e mashtrimit, të cilat janë të pavlefshme”, përfundon Ersida Teliti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë